Maqedoni
Zgjedhjet, Xhaferi: Institucionet do t’i krijojnë kushtet
19.02.2024 15:51
Siç po ofrohen zgjedhjet, ashtu po bëhet më e qartë traektorja se si duhet institucionet...

Siç po ofrohen zgjedhjet, ashtu po bëhet më e qartë traektorja se si duhet institucionet e caktuara të veprojnë në përputhje me ligjin për zgjedhjet, por edhe për qytetarët tanimë është e qartë se si duhet të veprojnë deri në datën e zgjedhjeve. Qeveria dhe kryeministri teknik për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Talat Xhaferi, është zotuar se Qeveria është duke dhënë maksimumin që zgjedhjet të organizohen sipas të gjitha rregullave dhe standardet e kërkuara evropiane.
“Puna e organizimit të zgjedhjeve në bazë të Kodit Zgjedhor është kompetencë e KShZ-së dhe ajo është bartëse e të gjithë procesit të organizmit dhe realizimit të procesit zgjedhor. Qeveria duhet të sigurojë parakushte, mbështetje dhe mbulesë për prapavijën e organizmit të zgjedhjeve, për faktin që KShZ-ja që përveç aspektit juridik dhe të masave juridike të procesit, aspekte tjera të ndërhyrjeve nuk ka. Për atë arsye, në kontekst të sigurisë së zgjedhjeve, Qeveria dhe institucionet e Qeverisë, e në veçanti MPB-ja do të jenë institucionet përkatëse të cilat do të sigurojnë atmosferë dhe klimë të duhur për zgjedhje dhe unë jam i bindur që ajo do të sigurohet.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
KShZ-ja publikon kalendarin zgjedhor
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve duhet ta definojnë listën e qytetarëve, të cilët kanë të drejtë të votojnë, pasi këto të dhëna të sillen deri tek KShZ-ja, e njëjta, listën e votuesve e vendosë në ueb faqen e KShZ-së për inspektim publik, ku qytetarët nëse vërejnë ndonjë parregullsi në të dhënat personale do të kenë të drejtë të lajmërojnë për ndonjë parregullsi në sistemin e të dhënave, kështu së paku thuhet tek afatet e KShZ-së.
“KShZ-ja, jo më vonë se 15 ditë nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, e vendos Listën e Zgjedhësve në inspektim publik në drejtoritë dhe zyrat e saj rajonale. Inspektimi publik zgjat 20 ditë dhe e njëjta fillon më 28 shkurt dhe zgjat deri më 18 mars, ora 24:00. Ndërsa qytetarët kërkesat për regjistrim, shtim ose fshirje të të dhënave në Listën e Zgjedhësve i dorëzon deri tek KShZ-ja ose njësitë rajonale përmes e-mail adresës, postës, në të cilën duhet të bashkëngjiten edhe provat, dhe e njëjta duhet të dorëzohet në periudhën nga data 28 shkurt deri më 18 mars të vitit 2024.”, - shënohet në formularin elektronik për datat në zgjedhje nga KShZ.
Listat e kandidatëve për President të vendit dorëzohen në KShZ, jo më vonë se data 19 mars deri në orën 24:00, respektivisht 35 ditë para ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. KShZ-ja do të mbajë shortin për të përcaktuar listën e vetme të kandidatëve më së voni më 28 mars. Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve për raundin e parë, ashtu edhe për atë të dytë zgjedhore. Fushata zgjedhore për raundin e parë të votimit fillon më 4 prill në ora 00:00 dhe zgjat deri më 22 prill ora 24:00. Fushata zgjedhore për raundin e dytë të votimit zgjat deri në orën 24:00 të datës 6 maj. Votimi fillon në orën 07:00 dhe vazhdon deri në orën 19:00 të ditës së caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve, më 24 prill 2024 (e mërkurë). Sipas KShZ-së, të drejtë vote do të kenë ata që kanë dokumente udhëtimi personale të reja, si dhe ata që posedojnë letërnjoftim me emrin të vjetër të shtetit për me afat të paskaduar. Deri më tani, kandidat për president të vendit janë paraqitur vetëm dy kandidatë, edhe atë Arben Taravari nga blloku opozitar shqiptarë VLEN, dhe Biljana Vankovska si kandidate e partisë “E Majta”.
FITIM KRYEZIU
