Komisioni për Çështje Evropiane, ndalimi i praktikave të padrejta tregtare
Propozimi i Ligjit për praktikat tregtare...

Propozimi i Ligjit për praktikat tregtare të padrejta në industrinë e bujqësisë dhe ushqimit kaloi fazën e parë në Komisionin për Çështjet Evropiane.
Me këtë pritet që kompensimet që tani paguhen në marrëdhënien kontraktuare midis blerësit dhe furnizuesit dhe që ndikojnë në çmimin e shitjes me pakicë duke dëmtuar konsumatorët të konsiderohen si praktika tregtare të padrejta të ndaluara.
“Në projektligj propozohet në nenin pesë të miratohet një listë e veçantë e produkteve ushqimore bujqësore, mbi bazën e së cilës përcaktohen të gjitha praktikat e padrejta tregtare. Propozimi i ligjit parashikon një mënyrë për kontrolle dhe mbikëqyrje më efikase të komisionit për mbrojtjen e konkurrencës, i cili merr kompetencë shtesë.”, - deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë, Zoran Manevski.
U vonuan pesë vite me miratimin e këtij ligji, i cili mund të kishte mbrojtur qytetarët nga inflacioni dhe kriza ekonomike. Deputetët e opozitës thonë se ligji është i drejtë, por edhe praktikat politike janë të padrejta.
“Bartja e këtij ligji sot është vetëm dëshmi se Qeveria e BDI-së dhe e LSDM-së ka fjetur për pesë vite, nga prilli 2019 deri në 2024. Në vend që ta miratoni këtë direktivë dhe ta përktheni në ligj, ju i latë qytetarët të jenë viktima të inflacionit pikërisht për ushqim, nga 30 deri në 40%.”, - theksoi deputeti nga VMRO-DPMNE, Antonio Miloshoski.
Vendet anëtare të BE-së kishin afat deri në vitin 2021 për të futur një ligj për praktikat e padrejta tregtare. Përderisa deputetët e Qeverisë mburreshin se RMV-ja është i vetmi vend nga Ballkani Perëndimor që e prezanton këtë ligj, deputetët e opozitës thonë se vendet e tjera mund të mos kenë pasur nevojë reale të miratojnë ligjin për të ndikuar në inflacion dhe krizën ekonomike. (Sedat Selimi, TVM2)
