Pasaportat e vjetra, Zvicra, Gjermania e Shqipëria heqin ndalesën
Interesi ekonomik po i ndryshon rregullat....

Interesi ekonomik po i ndryshon rregullat. Disa vende të zhvilluara evropiane e hoqën ndalesën për pasaportat e Maqedonisë me emrin e vjetër kushtetues. Rreziku nga zbrazja e vendeve të punës për shkak të pamundësisë që qytetarët tanë të arrijnë në vendet e punës, i bindi autoritetet e këtyre vendeve t’i tolerojnë ata që nuk kanë mundur të sigurojë dokumentet.
Ministri i Jashtëm, Osmani, konfirmoi se mes vendeve të para që miratoi një vendim të tillë është Zvicra.
“Kujtoj se edhe me vendimin e Zvicrës që të mundësojë njerëzit të udhëtojnë edhe me emrin e vjetër ose me dokumentet e vjetra paksa e ka lehtësuar edhe shërbimin tonë që ua japim njerëzve.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Toshkovski: Propozim-ligji të votohet nga deputetët
Njëkohësisht ministri teknik i Punëve të Brendshme, Toshkovski, i cili e konfirmoi informacionin, kërkoi që propozim-ligji për pasaportat të votohet nga deputetët. Sipas tij, është turp që pasaporta maqedonase me emrin e vjetër po përdoret në Gjermani, Zvicër dhe Shqipëri, por jo në vendin tonë.
Kovaçevski: Keqardhje për problemin e krijuar
Lideri i LSDM-së, Kovaçevski, tha se ndjen keqardhje që qytetarët duhet të përballen me këtë problematikë njëlloj si me pasaportat biometrikë.
“Shpreh keqardhje që sërish si në vitin 2010 kemi situatë në të cilën qytetarët duhet të presin për marrjen e dokumenteve personale.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
Qytetarët gjithsesi duhet t’i ndryshojnë pasaportat, sepse kjo tolerancë nuk dihet deri kur do të vlejë nga vendet e tjera. (Flutura Latifi, TVM2)
