Bisedimet Kosovë-Serbi, Ruker: E ardhmja e Kosovës është në BE

19.02.2024 17:29

Ish-përfaqësuesi special i sekretarit të Përgjithshëm....

Ish-përfaqësuesi special i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Joakim Ruker, shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ruker në një intervistë për “KosovaPress” njëherit thekson nevojën për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Natyrisht, Kosova është pjesë e komunitetit Euroatlantik dhe të ardhmen e saj e shoh në BE. Pra, kjo nuk është një pengesë e madhe. Ajo që është shumë e rëndësishme është sigurisht normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe jam ende i bindur se do të shohim rezultate në afat të mesëm.”, theksoi Ruker.

S’ka datë se kur pritet të rinisë dialogu

Por, pas sulmit terrorist serb në Banjskë vitin e kaluar, procesi i takimeve në kuadër të dialogut në Bruksel është vështirësuar. Takimi i fundit Kurti-Vuçiq ishte në shtator të vitit të kaluar pak ditë para se të ndodhte sulmi.

Takime të ndara ka zhvilluar kryediplomati evropian, Josep Borrell me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb, Vuçiq, këtë fundjavë në Munih. Presidenti serb ka thënë se pret ftesë nga Bashkimi Evropian.

Kurti dhe Vuçiq u përballën për herë të parë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në mbledhjen e para disa ditëve në OKB, të iniciuar nga Serbia, për çështjen e heqjes së dinarit si mjet pagese në komunat me shumicë serbe në Kosovë. (Gyltene Sinani, TVM2)