Situata në Palestinë, GjND-ja dëgjon argumentet e 52 shteteve, Tel Avivi s’tërhiqet nga vija e kuqe

19.02.2024 18:31

Izraeli nuk tërhiqet nga vija e kuqe...

Izraeli nuk tërhiqet nga vija e kuqe. Kërcënon me shtrirje të operacioneve ushtarake në Rafah, nëse deri në muajin e Ramazanit nuk lirohen pengjet edhe pse vazhdojnë thirrjet dhe presionet ndërkombëtare.

Ndërkohë nga e hëna, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nisi seancë gjashtë ditëshe, ku do të dëgjojë nga 52 vende dhe tre organizata argumentet mbi pasoja ligjore të okupimit të Bregut Perëndimor, Gazës dhe Jerusalemit.

Ministri i Jashtëm palestinez, Rijad Maliki, përpara Gjykatës së Hagës, me paraqitje mbi historinë e Palestinës dhe përpjekjen shekullore të  popullit palestinez për vetpërcaktim dhe vetëvendosje.

“Palestina nuk ka qenë vend pa popull, ashtu siç e kanë përshkruar liderët izraelit, tokë e pazënë. Në këtë tokë ka pasur jetë,  jetë politike, kulturore, sociale, jetë fetare. Ka pasur shkolla, universitete, kinema dhe salla kulturore.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Palestinës, Rijad Maliki.

Ndërkohë Izraeli pretendon në zhbërjen dhe dorëzimin e brigadës në Kan Junis.

“Armiku e ka humbur shpirtin luftarak – kjo është puna kryesore. Hamasi s’ka besim tek komandantët e tij, kjo është e qartë. Brigada Kan Junis nuk  funksionon më si entitet ushtarak në asnjë mënyrë.”, - u shpreh ministri i Mbrojtjes në Izrael, Joav Gallant.

Bota e civilizuar vazhdon ta kritikojë Izraelin për krimet ndaj popullit palestinez. Kryetari i Brazilit, Luiz da Silv,a luftën në Gazë e krahason me Hollokaustin.

“Ajo çfarë po ndodh me popullin palestinez nuk ekziston në asnjë periudhë tjetër historike. Në fakt kjo ka ndodhur kur Hitleri vendosi t’i vrasë hebrenjtë. Kjo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është luftë, por gjenocid.”, - theksoi kryetari i Brazilit, Luis da Silva.

Situata e përgjithshme në Rripin e Gazës është përkeqësuar. Pamundësohet edhe aksioni humanitar. Siç raportojnë mediat e huaja, ushtarët izraelitë kanë qëlluar edhe qytetarët palestinezë afër kamionëve, ku kanë pritur marrjen e ndihmave. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)