Zgjedhjet afrohen, ashpërsohet retorika

20.02.2024 14:27

Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare....

Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, atmosfera politike është e nxehtë dhe përplot me sfida dhe shpresa. Ndërsa partitë politike përgatiten për garën e tyre për pushtetin, qytetarëve u intereson se çfarë do të sjellë kjo fushatë. Por, para se të shtjellojmë këtë, të shohim se çfarë në të vërtetë është fushata zgjedhore.

“Fushatë zgjedhore është paraqitja publike e kandidatëve të verifikuar nga organet kompetente zgjedhore dhe programet e tyre në periudhën parazgjedhore për një lloj të caktuar të zgjedhjeve.”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Sipas ligjit, fushata zgjedhore fillon 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Mirëpo partitë politike në vend intensifikojnë prezencën e tyre në terren që në momentin e shpalljes së zgjedhjeve.

“Objektivi i radhës i BDI-së është të krijojë frontin evropian dhe të heq kufijtë shqiptaro-shqiptarë.”, - theksoi Ali Ahmeti.

“Ia vlejti kjo dhe koalicioni “Vlen” do ta sjellë ndryshimin, sepse ndryshimi veç ka nis.”, - u shpreh Arben Taravari.

E siç afrohen zgjedhjet, ashpërsohet retorika e subjekteve politike. Antievropian, shitës të interesave kombëtare, ndryshim i sistemit të kalbur, bashkëpunëtorë të qarqeve pro-serbe - secila parti përdor artilerinë më të rëndë për të sulmuar kundërshtarin.  

Çfarë fushate zgjedhore na pret?

Fushatat zgjedhore shpesh karakterizohen nga përdorimi i strategjive të ndryshme për të fituar mbështetjen e zgjedhësve dhe një mjet i zakonshëm është përdorimi i narrativëve negative për të demonizuar kundërshtarët politik. Nisur nga kjo parashtrohet pyetja, çfarë fushate zgjedhore na pret?

Historikisht në Maqedoninë e Veriut fushatat zgjedhore kanë kaluar me shpërndarjen e akuzave të paargumentuara apo njollosjes së oponentëve politik, andaj politikologu, Bllagojçe Atanasovski, nuk pret që të jetë ndryshe edhe kjo fushatë zgjedhore.

“Absolutisht nuk pres që do të jetë një fushatë më ndryshe, ku në mënyrë të civilizuar, demokratike, evropiane përfaqësuesit politik nga i ashtuquajturi blloku politik maqedonas apo i ashtuquajturi bllok politik shqiptar do të shkëmbejnë porosi politike  apo të themi do të ndeshen  me koncepte politike. Pres që do të jetë si deri tani, fushatë shumë e pistë me shumë ofendime, me shumë akuza mes të gjithë aktorëve politik, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Sidomos që bëhet fjalë për zgjedhje të dyfishta presidenciale dhe parlamentare.”, - deklaroi politikologu, Bllagojçe Atanasovski.

Ndërkohë komunikologu dhe analisti politik, Xhelal Neziri, pret që fushata të jetë dinamike, sidomos në bllokun e partive politike shqiptare. Në garën për pushtet do të ishte një hendikep i madh nëse subjektet politike nuk ofrojnë zgjidhje për problemet reale të qytetarëve.

“Do të jetë një gabim i madh që debati të fokusohet se kush do të jetë brenda pushtetit ose kush do të jetë jashtë, kë duhet ta çojmë në opozitë dhe kë duhet ta sjellim  në pushtet, por duhet të jetë se cila parti ose cili koalicion ka zgjidhje më të mira për probleme të caktuara. Probleme në ekonomi, problemi në arsim, probleme të sigurisë, përdorimi i drogave nëpër shkolla, problemi i zhvillimit ekonomik, investimet e huaja, integrimi në BE, ka shumë, shumë tema për të cilat duhet të jepen zgjidhje dhe oferta konkrete se si më tej.”, - theksoi analisti politik, Xhelal Neziri.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale fillon nga data 4 deri më 22 prill, kurse fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të planifikuara për më 8 maj të këtij viti fillon më 18 prill pas mesnate dhe do të zgjasë deri në orën 24:00 të datës 6 maj. (Ersan Pajaziti, TVM)