Sulmi i truprojës mbi policin, LSDM: Të zbardhet plotësisht skandali
LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë të përplasen....

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja vazhdojnë të përplasen për sulmin e truprojës së Mickoskit mbi një efektiv policie. Social-demokratët vazhdojnë të insistojnë se kjo përplasje fizike ka pasur për qëllim pengimin e një aksioni policor kundër drogës. Ata kërkojnë që ky skandal ku i përfshirë ka qenë shefi i sigurimit të Mickoskit të zbardhet plotësisht.
“Megjithatë, institucionet kompetente kanë detyrimin të veprojnë profesionalisht, në kuadër të kompetencave të tyre ligjore dhe të gjithë të përfshirët duhet të mbajnë përgjegjësi. MPB-ja duhet t'i përgjigjet pyetjes për rolin e Mickoskit, sepse bëhet fjalë për parandalimin e veprimit kundër drogës nga siguria e saj. Aq më tepër që shumë skandale droge janë të lidhura me DPMNE-në dhe Shtëpinë e Bardhë.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski.
DPMNE: LSDM mbulon skandale, ne i zbardhim
Nga partia e Mickoskit thonë se për dallim prej LSDM-së, ata nuk mbulojnë skandale e as nuk janë selektiv, ligjet vlejnë për të gjithë njëjtë.
“Për dallim nga LSD-ja që fsheh incidentet, VMRO-DPMNE-ja nuk ka selektivitet, ligjet vlejnë për të gjithë. Kur rojet e sigurimit të Zaevit rrihnin njerëzit, Spasovski e fshehu incidentin dhe mediat heshtën që të mos raportojnë për ngjarjen, përkundrazi tani ka procedurë dhe reagim të shpejtë.”, thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së.
Ditë më parë ministri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, informoi se anëtari i Drejtorisë së Gjashtë, gjegjësisht truproja e Mickoskit është suspenduar nga puna.
Sipas ministrit, ai ka kryer dhunë dhe ka shkelur nderin e Policisë, por nuk ka parandaluar asnjë aksion policor kundër drogës pasi që incidenti ka ndodhur pas përfundimit të operacionit.
Megjithatë, zëvendësi i tij, Mitko Bojmaçaliev, e pohon të kundërtën.
Sipas tij konfrontimi ka ndodhur në kohën kur zhvillohej operacioni për arrestimin e dilerëve.
Kundër truprojës së Mickoskit është ngritur kallëzim penal dhe pas zbardhjes së plotë të rastit do të dihet se kur ka ndodhur konfrontimi fizik dhe cila ka qenë arsyeja. (Sanije Duraku, TVM2)
