Maqedoni

Reklamimi politik parazgjedhor, Xhaferi dhe Grubi me qëndrime të kundërta

20.02.2024 15:55

Reklamimi parazgjedhor i partive politike nga buxheti i shtetit përplas kryeministrin Talat Xhaferi...

Reklamimi parazgjedhor i partive politike nga buxheti i shtetit përplas kryeministrin Talat Xhaferi dhe ministrin për sistem politik Artan Grubi dy muaj para zgjedhjeve. Dy funksionarët e BDI-së me qëndrime të kundërta, Xhaferi kundër reklamimit shtetëror, ndërkaq Grubi konsideron se për këtë çështje është vonë që të flitet.
 
“Qëndrimi im është se nuk duhet të ketë para buxhetore për reklama parazgjedhore. Ky është qëndrimi im se nuk duhet ndarë para për këtë punë.”, - deklaroi kryeministri, Talat Xhaferi.
 
“Ne të gjithë u pajtuam që të miratojmë rekomandimet e OSBE – ODIHR-së, përderisa për pagesën e reklamave në zgjedhje do të duhet të hapet debat më i gjerë dhe jo një muaj para zgjedhjeve të flitet për këtë çështje. Kështu konsideroj unë dhe të pamundësohet ekonomia gri në zgjedhje.”, - theksoi ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Bashkësive, Artan Grubi. 
 
Kovaçevski: Vonë të ndryshohet Kodi Zgjedhor
 
Edhe lideri i LSDM-së konsideron se tashmë nuk ka kohë që të shtjellohet kjo çështje dhe debati duhet bërë në zgjedhjet e radhës.
 
“Ndryshime thelbësore, përfshirë edhe financimin, mund të hapet debat, por konsideroj, sikurse edhe parti të tjera se është vonë që për zgjedhjet e shpallura të ndryshohet legjislatura zgjedhore në këtë pjesë. Megjithatë, pse jo në zgjedhjet e ardhshme kjo të diskutohet?”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Dimitar  Kovaçevski.
 
Miteva: Të hapet debat publik
 
Nga VMRO-DPMNE-ja akuzojnë pushtetin për joseriozitet dhe presin që të hapet debat.
 
“Konsiderojmë se pushteti gjatë periudhës së kaluar luajti me këtë ligj dhe presim që i njëjti të shqyrtohet dhe të hapet debat publik. VMRO-DPMNE-ja do të dalë me qëndrim.”, - theksoi zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva. 
 
Ndërkohë, KShZ-ja një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, ka ftuar mediat të cilat do të sigurojnë programe me pagesë politike, në afat prej tre ditëve të regjistrohen në komisionin shtetëror të zgjedhjeve.
 
MERAL ISMAILI