Maqedoni

Kolla e keqe, Mjekët: Të vaksinohen fëmijët

20.02.2024 16:26

Inspektorati nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po mbikëqyrin nëse fëmijët nëpër...

Inspektorati nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale po mbikëqyrin nëse fëmijët nëpër kopshte janë të vaksinuar dhe deri më tani nuk kanë konstatuar lëshime serioze nëpër dosje, edhe pse numër më i madh i të infektuarve me kollën e keqe janë fëmijë parashkollorë dhe thonë që gjendja është stabile, nuk është vërtetuar rast me pertussis nëpër kopshte. Nga prindërit kërkohet që të dorëzojnë kartela të vaksinimit nëpër kopshte, fëmijët e pavaksinuar nuk i kthejnë prapa, sepse kopshtet nuk kanë marrë asnjë njoftim nga institucionet kompetente. Edhe nëpër shkollat e vendit apelojnë që nxënësit e pavaksinuar të vaksinohen, edhe ata të pavaksinuarit do të vazhdojnë me mësim, sepse procesi arsimor është obligativ, ashtu siç është edhe vaksinimi detyrim ligjor. 
 
“Obligimi ynë është që ne ta kërkojmë kartelën e vaksinimit dhe ta marrim atë që të mund ta regjistrojmë fëmijën në klasën e parë. Prindërit nëse nuk duan t’i vaksinojnë fëmijët ose kanë ndonjë arsye të caktuar besoj se duhet të sjellin vërtetim nga mjeku se fëmija i tyre nuk duhet të jetë i vaksinuar.”, - theksoi drejtoresha e Sh.F. "Kiril dhe Metodi", Sonja Kirkova.
 
Më shumë se 10 ditë qendra e shëndetit publik ka shpallur epidemik të kollës së keqe në territorin e Shkupit. Përfshirja e dobët e imunizimit është arsyeja kryesore e paraqitjes së sëmundjes thonë epidemiologët. 
 
“Kolla e keqe fillimisht është shfaqur nga vendet perëndimore. Kishte epidemi të madhe në Danimarkë, pastaj u përhap edhe në vendet e tjera. Para sjelljes së vaksinës kishte nga 5 mijë raste me kollën e keqe, në vend kishte edhe raste që përfundonin me fatalitet, megjithatë me sjelljen  e vaksinës është ulur numri i rasteve. Gjatë 20 viteve të fundit regjistrojmë vetëm raste sporadike të kollës së keqe, ndërsa rasti i fundit që ka përfunduar me vdekje është regjistruar në vitin 2001.”, - u shpreh Kristina Stavridis nga IShP.
 
Në kryeqendër më shumë se 4 mijë fëmijë nuk janë të imunizuar kundër kollës së keqe, por numri mund të jetë edhe më i lartë, për shkak se shërbimet nga Karposhi, Kisella Voda dhe qendra nuk kanë dorëzuar të dhëna për të pavaksinuarit. Nga fillimi i vitit në Shkup janë të regjistruar më shumë se 40 fëmijë me kollën e keqe, prej tyre ka edhe të vaksinuar e disa janë të hospitalizuar.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI