Dokumentet personale, MPB-ja në përpjekje për të tejkaluar situatën
Kaosi me nxjerrjen e dokumenteve të reja...

Kaosi me nxjerrjen e dokumenteve të reja të udhëtimit po shkon drejt fundit. Për këtë qëllim, MPB-ja ka shtuar punktet për aplikim, tha mes tjerash zëvendësministri shtesë i MPB-së, Mitko Bojmacaliev.
Sipas tij, deri në fund të muajit do të sillet sasia e nevojshme e formularëve, e cila do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve që të pajisen me dokumentet e identifikimit.
“Askush askënd nuk është duke e sabotuar në këtë ministri, por vetëm dua të theksoj se në ditën kur është realizuar pranim-dorëzimi i pozitës në mes ministrave, Spasovski dhe Tashkovski, kanë arritur 50 mijë formularë, para disa ditëve kanë arritur edhe 20 mijë të tjera, pra nuk bëhet fjalë për kurrfarë sabotimi. Deri në fund të muajit presim që të vijë edhe një sasi më e madhe, kurse presim që edhe në muajin qershor të vijë një sasi e madhe, e cila do t’i plotësojë kërkesat e qytetarëve që ata të cilët janë fotografuar të mund t’i marrin dokumentet e tyre personale, pra edhe njëherë po e potencoj se nuk bëhet fjalë për kurrfarë sabotimi.”, - deklaroi Mitko Bojmacaliev.
Bojmacaliev theksoi se nuk duhet të krijohen dilema shtesë rreth asaj se qytetarët tanë me pasaportat e vjetra në cilat vende do të kenë të drejtë të udhëtojnë, sepse sipas këtij të fundit ato pasaporta janë jashtë përdorimit dhe se një vendim të tillë duhet ta japim secili shtet veç e veç.
“Këtu duhet të sjellë qëndrim vet Bashkimi Evropian, se a thua do t’i pranojë qytetarët tanë me pasaportat e vjetra, e të cilat sipas ligjeve tona janë jashtë përdorimit. Ka disa shtete, të cilat i pranojnë qytetarët me pasaportat e vjetra, ndërsa ka edhe vende të cilat nuk i pranojnë, por nuk kisha dashur të futem në ato referime dhe t’i ceki se cilat vende e lejojnë një gjë të tillë, e cilat jo, me qëllim që mos të shkaktojmë ndonjë paqartësi plotësuese tek qytetarët. Por më e mirë do të ishte që qytetarët t’i shfrytëzojnë kapacitetet e MPB-së, të vinë të fotografohen dhe t’i marrin dokumentet e reja personale. Deri në këto momente mbi 1 milion e 300 mijë banorë i kanë ndryshuar dokumentet, që është një numër shumë domethënës, nëse i marrin parasysh të gjitha obstruksionet të cilat i kemi pasur gjatë këtyre tre viteve.”, - theksoi Mitko Bojmacaliev.
Deri më tani, sipas MPB janë lëshuar mbi 1 milion e 300 mijë banorë dhe se caktimi i termineve për letërnjoftim apo pasaportë mund të merret më lehtë dhe se të njëjtat caktohen për në muajin qershor, me mundësi që e njëjta të shkurtohet. (Fitim Kryeziu, TVM2)
