Gaza e tensionuar, mungesë ushqimi dhe pije, OKB: Shëndeti publik i Gazës, në krizë

20.02.2024 17:48

Situata në Rripin e Gazës....

Situata në Rripin e Gazës është e tensionuar. E pamundur edhe shpërndarja humanitare e ndihmave. Nga UNICEF-i paralajmërojnë një nivel të padurueshëm, vdekje fëmijësh nëse nuk merren masa. Gra e fëmijë në terren të hapur, të paushqyer dhe të etur.

“Për ne nuk ka asgjë për të ngrënë. Për momentin po hamë thjerrëza, por para lufte hanim mish pule, oriz dhe shujta shumë të shijshme.”, - tha një fëmijë.

“Ushqimin që po e hamë, nuk do ta kemi më. Fëmijët e mi qajnë vazhdimisht dhe unë nuk kam mundësi t’u jap ushqim apo ujë.”, - u shpreh një qytetare e Gazës.

“Ashtu siç po vazhdon bombardimi i Gazës, po rritet shqetësimi për shëndetin publik, ndërkaq gratë janë më rëndë të dëmtuara. Fondi për popullatën në Kombet e Bashkuara paralajmëron për urinë e përgjithshme të banorëve të Gazës, përfshirë edhe 50,000 gra shtatzëna. Ne dhe partnerët tanë bëjmë çmos që të sigurojmë ushqim për Rripin e Gazës.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stegan Dujarik.

Izraeli s’lëshon pe, kërkon lirimin e pengjeve

Izraeli nuk lëshon pe. Nuk tërhiqet nga kushti se do ta shtrijnë operacionin në Rafah, nëse deri në muajin e ramazanit Hamasi nuk i liron pengjet. Paralajmërojnë kujdes ndaj civilëve.

“Do ta bëjmë këtë në mënyrë të koordinuar, duke e lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptian, që t’i minimizojmë viktimat civile sa më shumë që mundemi.”, - u shpreh anëtari i Kabinetit Ushtarak në Izrael, Beni Ganc.

GjND-ja dëgjon argumentet për pafajësinë e Gazës

Ndërkohë vazhdon seanca gojore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi pasojat ligjore të pushtimit të territoreve palestineze nga ana e Izraelit. Seanca do të vazhdojë deri më 26 shkurt, e cila pas disa muajsh do të përfundojë me një opinion ligjor jodetyrues nga gjykatësit e Hagës.

Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara po dëgjon opinionet dhe argumentet e 52 shteteve dhe tre organizatave për situatën në Gazë. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)