BE, pako e re sanksionesh kundër Rusisë

21.02.2024 13:18

Bashkimi Evropian i dha dritën jeshile pakos së 13-të të sanksioneve kundër Rusisë...

Bashkimi Evropian i dha dritën jeshile pakos së 13-të të sanksioneve kundër Rusisë, si kundërpërgjigje ndaj agresionit të këtij vendi ndaj Ukrainës. 
 
“Ambasadorët e BE-së sapo kanë rënë dakord në parim për paketën e 13-të të sanksioneve, për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Kjo paketë është një nga paketat më të gjera të miratuara nga BE. Do të kalojë një procedurë të shkruar dhe do të miratohet zyrtarisht më 24 shkurt”, thuhet në njoftimin e presidencës belge.   
 
Në listën e re të kufizimeve janë përfshirë gati 200 subjekte dhe individë, në mesin e të cilave edhe kompania “Conex” nga Serbia. Arsyetimi i BE-së se pse kjo kompani nga Serbia është përfshirë në listën e subjekteve të sanksionuara do të bëhet e ditur kur vendimi të publikohet në gazetën zyrtare. Zyrtarisht, pakoja  do të miratohet pak më vonë, në mënyrë që të përkojë me përvjetorin e dytë të fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt. 
 
Dy ditë më parë, shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Aleksei Navalni. Ndërkohë, Britania e Madhe ka vendosur sanksione kundër gjashtë udhëheqësve të burgut të largët të Arktikut, ku vdiq lideri opozitar rus, Aleksei Navalni. 
 
Të sanksionuarit, përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e burgut, e kanë të ndaluar hyrjen në Britani të Madhe, ndërsa asetet e tyre do të ngrihen, ka bërë të ditur ministri i Jashtëm britanik, Dejvid Kameron. Në prag të dy vjetorit të fillimit të sulmit rus në Ukrainë, para Ministrisë së Mbrojtjes në Maqedoninë e Veriut është ngritur flamuri ukrainas, në shenjë të përkrahjes për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. 
 
BELINDA KOKA ADEMI