Maqedoni

KSI: Gjendja me kollën e madhe është nën kontroll

21.02.2024 14:04

Komisioni për Sëmundje Infektive ka shqyrtuar gjendjen epidemiologjike në vend...

Komisioni për Sëmundje Infektive ka shqyrtuar gjendjen epidemiologjike në vend, rreth sëmundjeve të ndryshme infektive përfshirë kollën e madhe. Ky komision ka konstatuar se gjendja me kollën e madhe është nën kontroll, megjithëse ende vazhdon trendi në rritje.
 
Deri tani në vend janë konstatuar 56 raste me kollën e madhe, ndërsa numri më i madh i të prekurve janë fëmijë. 
 
“Nuk mund të themi se është stabile, sepse ende ka rritje të rasteve të konfirmuara. Deri sot janë konfirmuar gjithsej 56 raste të njerëzve të infektuar me kollën e madhe. Prej tyre 14 janë fëmijë nën një vjet, ndërsa 9 janë të moshës nga një deri në 4 vjet. Nga të gjitha 56 rastet, 16 janë të pavaksinuar, 12 janë të pavaksinuar plotësisht. Tani paraqiten edhe adoleshentë, fëmijë 10 deri në 14 vjet dhe më të rritur.”, - deklaroi kryetari i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski.
 
KSI: Të vazhdojë vaksinimi i fëmijëve
 
Angazhimi më i madh i sistemit shëndetësor është të pengohet përhapja e kollës së madhe te fëmijët, pasi fëmijët e moshës deri në një vjet janë më të prekur, megjithëse javët në vazhdim nga Komisioni për Sëmundje Infektive presin që rastet me kollën e madhe të paraqiten tek të moshuarit. 
 
“Sëmundja pertusis për të rritur nuk është sëmundje e rëndë, ka ilaç dhe nuk ka nevojë për frikë. Njerëzit e rritur si bartës te fëmijët janë të rrezikshëm, prandaj rekomandohet mbrojtja e tyre fillimisht me vaksina e më pas edhe me antibiotikë. Vaksina për të rritur aktualisht nuk ka, por jemi shumë afër furnizimit, është çështje ditësh.”, - theksoi kryetari i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski.
 
Nga komisioni njëherit rekomandojnë vazhdimin e vaksinimit. 
 
“Më 18 janar u dha rekomandimi i parë dhe deri më 14 shkurt gjithsej janë vaksinuar mbi 13 mijë fëmijë, që është numër solid. Jemi të kënaqur me përgjigjen në thirrjen për vaksinim.”, - u shpreh kryetari i KSI-së, Aleksandar Petliçkovski.
 
Nga Komisioni për Sëmundje Infektive thonë se ende ka mijëra fëmijë të cilët do të duhej të vaksinohen. 
 
Deri në fund të javës, Komisioni për Sëmundje Infektive do t’i publikojë edhe udhëzimet për sjelljen dhe procedurat në kushte të epidemisë. 
 
Po ashtu do të bëhet edhe vlerësimi i laboratorëve, të cilat i plotësojnë kushtet për testim dhe do të caktohet një laboratorë shtetërorë referent ku do të mund të konfirmohen rastet me pertusis nga laboratorët privat. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI