Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, partitë në proces të përzgjedhjes së kandidatëve

21.02.2024 14:44

Partitë politike intensivisht përgatiten për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare....

Partitë politike intensivisht përgatiten për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, paralajmëroi se partia e tij krahas kandidatit për president, do të ketë lista kandidatësh në të gjitha njësitë zgjedhore. Kovaçevski njëherit bën të ditur se vazhdojnë bisedimet me BDI-në, por edhe me partitë politike që nuk janë pjesë e koalicionit me LSDM-në.
 
“LSDM-ja do të ketë lista kandidatësh në të gjitha njësitë zgjedhore. Ne veç më kemi bisedime me partnerët tanë të koalicionit, gjithsesi se do të ketë bisedime edhe me parti politike që nuk janë tradicionalisht pjesë e koalicionit tonë. Nëse gjendet gjuhë e përbashkët dhe interes dhe nëse kjo pranohet nga udhëheqësia partiake, atëherë ato lista mund të zgjerohen me parti tjera politike. Për momentin punohet për përcaktimin e kandidatëve dhe me lista me partnerët e koalicionit, me të cilët tradicionalisht shkojmë në zgjedhje.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
 
Në ora 19:00 përfundon konkursi publik i VMRO-DPMNE-së për paraqitje për kandidat presidencial. Përzgjedhja e kandidatit do të bëhet vikendin e ardhshëm në Konventën e kësaj partie. 
 
“Është fakt se sot mbaron afati, por të presim që të mbarojë dita, pasi që ende s’ka mbaruar afati, e më pas të mund të japim përgjigje.”, - theksoi Aleksandar Nikollovksi nga VMRO-DPMNE. 
 
Deri në këto momente në faqen zyrtare të VMRO-DPMNE-së ende nuk ka asnjë të paraqitur në konkurs, por dy emrat që përfliten për kandidat për president janë Gordana Siljanovska Davkova dhe Aleksandar Spasenovski. Me kandidat presidencial deri në këto momente, përveç VMRO-DPMNE-së, është paralajmëruar se do të garojnë edhe LSDM-ja, BDI-ja, si dhe Koalicioni opozitar shqiptar. Opozita shqiptare tanimë ka bërë të ditur se në garën presidenciale do të futet me Arben Taravarin, ndërsa BDI-ja ka paralajmëruar për të enjten një press konferencë, ku pritet të publikohet emri i kandidatit për president. Kandidaturën e ka publikuar edhe Biljana Vankovska nga E Majta, ndërsa kandidat kanë paralajmëruar edhe partia e Maksim Dimitrievskit dhe Stevço Jakimovskit. 
 
SANIJE DURAKU