Botë
Gazë, vazhdojnë sulmet izraelite, njoftohet për viktima
21.02.2024 15:05
Izraeli vazhdoi sulmet e tij të rënda në Gazë....

Izraeli vazhdoi sulmet e tij të rënda në Gazë. Një automjet u godit në një sulm ajror në Rafah. Së paku 67 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite nëpër Rripin e Gazës gjatë natës dhe mëngjesit të së mërkurës, përfshirë në zonat ku civilëve u është kërkuar të strehohen. Katari dëshiron që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime të qarta.
"Komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrë veprime të qarta për të garantuar sigurinë e tyre në Rafah. Ne refuzojmë të pranojmë çdo justifikim për një sulm të tillë.”, - deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
OKB: ShBA-ja, veto rezolutës për armëpushim në Gazë
Shtetet e Bashkuara kanë vënë sërish veto ndaj një draft-rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm humanitar. Ndërkohë ShBA-ja përsëri paralajmëroi se Tel Avivi nuk duhet të ndërmarrë asnjë ofensivë në Rafah, ku janë të vendosur një milion refugjatë. Por, ambasadori palestinez në OKB e quajti absurd veton amerikane.
“Ne duam të vazhdojmë të punojmë për këtë propozim që do të çojë në një armëpushim dhe lirimin e të gjithë pengjeve, por në mënyrën e duhur. E kam bërë të qartë se nuk duhet të ndërmerren sulme kundër Rafahut.”, - theksoi ambasadorja e ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Tomas-Grinfild.
“Vetoja nuk është vetëm për të ardhur keq, por është absolutisht e pamatur dhe e rrezikshme, dhe përsëri mbron Izraelin edhe pse kryen krimet më tronditëse.”, - u shpreh ambasadori i Palestinës në Kombet e Bashkuara, Rijad Mansur.
Izraeli thotë se nuk do t'i dorëzohet presionit dhe do të vazhdojë operacionin ushtarak.
"Ka presion të madh mbi Izraelin brenda dhe jashtë vendit për t'i dhënë fund luftës përpara se të arrijmë të gjitha qëllimet tona, duke përfshirë një marrëveshje për lirimin e pengjeve me çdo kusht. Ne nuk jemi të gatshëm të paguajmë asnjë çmim, veçanërisht atë që Hamasi kërkon nga ne, që do të nënkuptonte humbjen e shtetit të Izraelit.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Në të njëjtën kohë, Katari ka hedhur poshtë akuzat e Netanjahut se po financojnë Hamasin. Ata thonë se komentet janë për përfitime personale dhe politike në kohën e krizës së brendshme politike të liderit. Protestat kundër qeverisë izraelite vazhdojnë në Tel Aviv, e nga ana tjetër protestuan dhjetëra fëmijë palestinezë në Rripin e Gazës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe sulmeve intensive të Izraelit.
BELINDA KOKA ADEMI
