Maqedoni

Dalja e të rinjve gjatë natës, “Hops”: Argëtim me alkool dhe substanca narkotike

21.02.2024 15:24

Më së shumti alkool, ndërsa më pak marihuanë dhe kokainë përdorin të rinjtë gjatë daljeve të tyre të natës....

Më së shumti alkool, ndërsa më pak marihuanë dhe kokainë përdorin të rinjtë gjatë daljeve të tyre të natës. Kështu kanë treguar rezultatet e anketës së fundit të realizuar nga Organizata Joqeveritare “Hops” mbi sigurinë e të rinjve gjatë daljeve të natës. Prej gjithsej 119 të  rinjve të anketuar, 59 për qind prej tyre janë shprehur se gjatë argëtimit të tyre gjatë natës kanë përdorur substanca të ndryshme psikoaktive. 75% prej tyre, këtë gjë e kanë bërë muajin e fundit, ku substanca më e preferuar psikoaktive mbetet alkooli dhe më pas kanabisi dhe kokaina, theksuan nga kjo organizatë. 
 
“Substanca më e përdorur psikoaktive në mesin e të rinjve është alkooli, ku 44,5% nga numri i përgjithshëm i të anketuarve ose 90% prej të anketuarve, të cilët janë shprehur se kanë përdorur muajin e fundit këto substanca, kanë thënë se më shumti kanë përdorur alkoolin gjatë daljeve të tyre të natës. Kanabisin e kanë përdorur 35,3% nga numri i përgjithshëm i të anketuarve ose 71% e të anketuarve, të cilët kanë përdorur gjatë muajit të  fundit. Kokainën e kanë përdorur 24% e të anketuarve të përgjithshëm ose 49,5% prej të anketuarve të rinj, të cilët kanë konsumuar gjatë muajit të fundit. MDA, respektivisht ekstazën e kanë përdorur 21% e të anketuarve nga numri i përgjithshëm ose 42,3 % e të anketuarve të rinj, të cilët janë shprehur se kanë konsumuar gjatë muajit të fundit.”, - deklaroi Vllatko Dekov nga OJQ “Hops”.
 
Në këtë anketë të rinjtë e kanë vlerësuar sigurinë e tyre gjatë mbrëmjeve të natës me notë 3. Sipas rezultateve të kësaj ankete, 66,4% e të rinjve janë shprehur se kanë pasur shembull jo të mirë gjatë mbrëmjeve të tyre të natës. Prej tyre 70% kanë thënë se kanë pasur  çaste të pakëndshme me vizitues të tjerë në lokalin ku ata kanë shkuar për t’u argëtuar, 50% me policinë, ndërsa 41,7% me sigurimin e vendit të lokalit ku ata ndodheshin. Hulumtimi i të rinjve është realizuar onlajn, në kohëzgjatje prej një jave dhe në të janë përfshirë gjithsej 119 të rinj prej  moshës 18 deri në moshën 35 vjeçare. Prej tyre, 57% kanë qenë femra, 39,5% djem dhe dy persona transeksual. 
 
REXHEP QAMILI