Maqedoni

Toshkovski: BE-ja lejon lëvizjen, RMV-ja kufizon qytetarët

21.02.2024 17:24

Komiteti për dokumente të udhëtimit pranë Komisionit Evropian...

Komiteti për dokumente të udhëtimit pranë Komisionit Evropian ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Brendshme se qytetarët e RMV-së me pasaporta me emrin e vjetër kushtetues do të mund të udhëtojnë pa problem ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian, duke përjashtuar Greqinë. 
 
Lëvizja e lirë e tyre vlen vetëm në vendet Evropiane, por nëse kthehen në RMV nuk mund të dalin nga vendi me pasaportë të vjetër. Për këtë, ministri teknik i Punëve të Brendshme, Toshkovski, thotë se Maqedonia mbetet i vetmi vend që ua kufizon të drejtën e lëvizjes qytetarëve të vet, vetëm për shkak se deputetë të caktuar nuk duan t'i mbështesin ndryshimet në Ligjin për dokumente të udhëtimit. 
 
Osmani: Po keqinterpretohet qëndrimi i BE-së 
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se është keqinterpretuar qëndrimi i Komitetit për dokumente të udhëtimit nga BE-ja. 
 
Zyrtarisht vetëm Zvicra ka pranuar lëvizjen me dokumentet e vjetra, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina nuk i njeh dokumentet me emrin e vjetër kushtetues. Osmani sugjeron qytetarët që të marrin fletudhëtim nga ambasadat e RMV-së jashtë vendit për t’i evituar problemet e mundshme. 
 
Thekson se dalje nga RMV-ja me pasaportat e vjetra është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Prespës, ndërsa vazhdimi i afatit të tyre nuk mund të bëhet pa pajtueshmërinë e Greqisë. Thekson se VMRO-ja po manipulon me qytetarët.
 
“Qëndrimi i BE-së është se Komisioni nuk sjell vendime që vazhdojnë për gjithë Bashkimin Evropian, por është çështje sovrane e secilit shtet. Secili shtet sjell vendim për vete. Nuk ka politikë ku BE-ja do të sjellë vendim dhe ajo do të vazhdojë për të gjitha vendet. Sa i përket kësaj çështjeje, ata vet vendosin dhe deri tani një numër i madh i vendeve praktikisht lejojnë qytetarët të lëvizin, por zyrtarisht nuk kanë qëndrim zyrtar vetëm një për pranim dhe tjetra për mosnjohje.”, - theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. 
 
LSDM / VMRO, përplasje rreth ligjit për dokumentet personale 
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, përkujtoi se grupi parlamentar i VMRO-së më 12 shkurt ka paraqitur propozim për Ligj për ndryshimin e vlefshmërisë së dokumenteve të udhëtimit dhe kërkon mbështetje sa më të shpejtë nga shumica parlamentare.
 
“650 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë janë të burgosur në Republikën e Maqedonisë, pa të drejtë të largohen nga vendi, me çka është në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, i cili garanton dalje të lirë nga Republika e Maqedonisë dhe shkel Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, neni 2, i cili jep të njëjtën garanci. Këto akte ligjore janë të një rëndësie juridike më të lartë se Ligji, të cilin ne kërkojmë të ndryshohet.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
 
Ndërkohë nga LSDM theksojnë se një Ligj i tillë nuk mund të pranohet, pasi që do të jetë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës dhe Kushtetutën.
 
“Këto detyrime për ne qytetarët dalin nga Marrëveshja e Prespës, që është marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe nuk mund të ndryshohet me ligj, sepse kjo do të binte ndesh me nenin 118 të Kushtetutës së Maqedonisë. Ky është vetëm një mashtrim i opinionit se nëse votohet ky ligj do të vazhdojnë të jenë të vlefshme pasaportat, por kjo nuk është e vërtetë.”, - theksoi Daniela Markoska nga LSDM.
 
Përderisa kaosi dhe mosmarrëveshjet vazhdojnë, qytetarët thonë se më së shumti e pësojnë ata.
 
“Me termin të rregullt, por më ka ardhur sot dita tani të them ta marr pas 4 ditëve. Normal sikur që ka qenë më herët. Pa lidhje, kam pritur se nuk kam pasur nevojë, por tash më duhej patjetër. Letërnjoftimin nuk e kam, vetëm pasaportën se më duhet patjetër të udhëtoj në Gjermani.”, - tha një qytetar.
 
“Për dokumente më mirë mos pyet fare. Ka dy muaj e gjysmë, letërnjoftimi ende nuk është gati. Pasaportën nuk e kam, për djalin e kemi kërkuar në procedurë të shpejtë, ka 4-5 ditë që nuk është gati. Nuk e kemi bërë me procedurë të rregullt, sepse nuk i hapin telefonat.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Presim nga muaji shtator. Na duhen dokumentet për të udhëtuar, presim kjo të përfundojë sa më shpejtë.”, - u shpreh një qytetar.
 
Toshkovski: Vetëm 3,000 pasaporta mund të japim në ditë
 
Ministria e Punëve të Brendshme ka kapacitet të shtyp më së shumti 3,000 pasaporta të reja, gjegjësisht 2,800 nëse janë në dy gjuhë. 
 
Në MPB ka dy makineri, ndërsa nuk ka mundësi të sigurohet një e tretë, për shkak të afatit të gjatë dhe periudhës parazgjedhore. 
 
Parashikimet janë se pasaportat do të arrijnë të rinovohen deri në fund të vitit nëse gjithçka shkon mirë me makineritë dhe dërgimin e formularëve. (Florije Kamberi, TVM2)