Maqedoni
Anketë e studentëve të juridikut, 69% e qytetarëve nuk i besojnë gjyqësorit
21.02.2024 16:01
69% e të anketuarve nuk kanë besim në institucione gjyqësore, prandaj edhe nuk paraqesin dhunë në familje...

69% e të anketuarve nuk kanë besim në institucione gjyqësore, prandaj edhe nuk paraqesin dhunë në familje. Kjo është përqindje e dalë nga një hulumtim që kanë bërë studentët e vitit të parë të Fakultetit Juridik në Tetovë. Sipas këtij hulumtimi, qytetarët nuk u besojnë institucioneve dhe nuk paraqesin dhunë në familje, pasi edhe në ato raste ku ka pasur dhunë, institucionet nuk kanë marrë masa dhe janë bërë bashkautorë të dhunës në familje, tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
“Është konstatuar se në bazë të thirrjes së studimeve në besueshmërinë në institucione do të shohim se mbi 138 anketues ose 69% nuk i besojnë institucioneve. Dhe ku e kanë mbështetur besueshmërinë se edhe në ato raste ku ka pasur institucione të dhunës, institucionet nuk kanë marrë masa. Dhe, prandaj motoja jonë e përbashkët është: “Ndal dhunën. Denonco dhunën. Jepi jetë jetës.”. Denoncimi i dhunës në kohë dhe momentin e duhur do të minimizojë që të përhapet dhuna. Por, fatkeqësisht është konstatuar këtu se institucionet janë autorë të dhunës në familje, për arsye se nuk marrin masa.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sipas Selmanit, edhe rrjetet sociale dhe përdorimi i tyre ka ndikuar në rritjen e dhunës në familje.
“Në shumicën e rasteve, prindërit që u kanë blerë telefona fëmijëve ku 20% e prindërve nuk i lejon t’i përdorin dhe këtu lind grindja. Po ashtu edhe zënka e çifteve bashkëshortore ku gjithmonë gjinia femërore pretendon për të kontrolluar mesazhet dhe telefonin burrit ose bashkëshortit, që do të thotë edhe çifte bashkëshortore edhe raport prindër-fëmijë është shumë i rrezikuar nga këto raporte që iniciohen.”, - theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Përndryshe, në rajonin e Pollogut, 168 raste kanë denoncuar dhunën, prej tyre asnjë nuk ka vendim gjyqësor që është shqiptuar masa e sanksionimit.
VISAR SADIKI
