Botë

(Para)marrëveshje për programin bërthamor iranian

03.04.2015 14:43

Bisedimet maratonë në Zvicër mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit përfunduan me një marrëveshje...

Bisedimet maratonë në Zvicër mes gjashtë fuqive të mëdha dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit përfunduan me një marrëveshje kornizë që përcakton rrugën që do të ndjekin palët deri më 31 qershor, kur është afati përfundimtar për gjetjen e një ujdie të detajuar dhe përfundimtare.
 
Marrëveshja u komunikua bashkërisht prej ministrit të Jashtëm iranian, Javad Zarif, dhe kryediplomates së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kjo e fundit luajti rolin e koordinatores mes fuqive të mëdha në bisedimet tetëditore të zhvilluara në Lozanë. 
 
Presidenti amerikan, Barak Obama, vlerësoi fuqitë botërore që ranë dakord mbi kushtet e përgjithshme të marrëveshjes. Irani mohon akuzat e perëndimit se po përpiqet të ndërtojë një bombë bërthamore dhe në bisedime u fut në përpjekje për të hequr dhe lehtësuar barrën e sanksioneve që ka topitur ekonominë vendase prej disa vitesh. 
 
Lajmi i arritjes së një “parakontrate” është konfirmuar më herët nga kryediplomati iranian.
 
“Gjetëm zgjidhjen. Gati të punojmë menjëherë për draft-marrëveshjen”- shkroi ai shkurtimisht në rrjetet sociale.
 
Pas kësaj, kryediplomatët protagonistë kryesorë në bisedimet maratonë komentuan njëri pas tjetrit.
 
“Marrëveshje për shtegun që do ndjekim deri në marrëveshjen finale”- deklaroi ministri i Jashtëm gjerman po në rrjetet sociale. Me këto deklarata në rrjetet sociale të gjithë dolën të kënaqur nga marrëveshja, përveç njërit. “Çdo marrëveshje duhet të reduktojë aftësitë bërthamore të Iranit dhe të parandalojë terrorizmin dhe agresivitetin e tij”- shkruante kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.