Maqedoni
Paralelet shqipe, reagon PDSh: të tërhiqet konkursi për regjistrim
03.04.2015 15:15
Pas publikimit të konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme ka reaguar edhe PDSh...

Sipas kësaj partie, në shkollat e mesme edhe pas këtij konkursi do të ripërsëritet situata e regjistrimit të shqiptarëve në paralelet maqedonase. PDSh-ja kërkon konkurs të ri, ku do të reflektohet realiteti në shkollat në komunat shqiptare.
“Në shumicën e shkollave të mesme në Shkup një numër i madh i nxënësve shqiptarë nga Shkupi dhe rrethina janë të detyruar që të regjistrohen në paralelet maqedonase, sepse paralelet shqipe janë të kufizuara dhe të stërngarkuara. PDSh-ja kërkon që konkursi për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme për vitin shkollor 2015/2016 të tërhiqet dhe të përgatitet konkurs i ri, ku do të merren parasysh kërkesat e Këshillit të Prindërve Shqiptarë në shkollat e mesme të qytetit të Shkupit”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i PDSH-së, Azem Sadiki.
