Botë

Vazhdojnë sulmet ushtarake në Gazë, sulm terrorist edhe në Jerusalem

22.02.2024 13:50

Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në rripin e Gazës.....

Ushtria izraelite ka vazhduar sulmet në rripin e Gazës. Është bombarduar edhe qyteti Rafah, prej ku autoritetet palestineze njoftojnë edhe për viktima. OBSh-ja alarmon për gjendjen shëndetësore dhe humanitare. 
 
“Gjendja vazhdon të përkeqësohet. Gaza është shndërruar në zonë të vdekjes. Nevojitet ndërprerje e zjarrit menjëherë. Pengjet patjetër duhet të lirohen, bombat patjetër të ndërpriten, patjetër të mbisundojë humanizmi.”, - deklaroi drejtori i OBSh-së, Tedros Adanom Gebrejesus.
 
Britania dhe Jordania kanë hedhur ndihma në ushqim dhe ilaçe nga aeroplani. Autoritetet izraelite thonë se para operacionit në qytetin kufitar Rafah, fillimisht do të evakuohen civilët. Nga kabineti ushtarak izraelit thonë se ka shenja të përparimit drejt një marrëveshjeje. 
 
“Ekzistojnë përpjekje të promovohet marrëveshje e re për pengjet dhe ka shenja të hershme premtuese për përparim të mundshëm. Nuk do të ndalemi së kërkuari mënyrë dhe nuk do të shmangim kurrfarë mundësie që të sjellim njerëzit tanë në shtëpi. Por, nëse nuk arrihet marrëveshje e re, do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajit të ramazanit.”, - theksoi anëtari i kabinetit ushtarak izraelit, Beng Ganic.
 
Për më pak se tri javë fillon muaji i Ramazanit, deri kur është vënë linja e kuqe për lirimin e pengjeve. Paraprakisht Parlamenti izraelit e ka refuzuar njohjen e njëanshme të shtetit palestinez. Shefi i CIA-s udhëton drejtë Parisit për bisedime me autoritetet e Katarit dhe Egjiptit në kuadër të përpjekjeve të arrihet marrëveshje deri në fillim të Ramazanit. Derisa vazhdojnë përpjekjet për ndërprerjen e konfliktit në Gaza, një person është vrarë dhe 18 të tjerë janë lënduar në një sulm terrorist në Jerusalem. Dy sulmues palestinezë janë neutralizuar, ndërsa i treti është gjetur gjatë kontrollit policor. 
 
“Armiqtë tanë nuk kërkojnë shkas, dëshirojnë vetëm të na dëmtojnë. E drejta e jetës për banorët hebrenj në bregun perëndimorë është më e rëndësishme se liria e lëvizjes së administratës palestineze.”, - theksoi ministri i Sigurisë Nacionale të Izraelit, Itamar Ben Gvir.
 
Ndërkohë në rajonin Eliot janë dëgjuar sirenat, pasi ushtria izraelite ka hasur në raketa nga Deti i Kuq, të lëshuara nga Huthët. 
 
FITORE DEMOLLI