Maqedoni
“Thesari”, Mijallkov dhe të tjerët shpallën të pafajshëm
22.02.2024 14:08
Gjykata Penale në Shkup shpalli të pafajshëm ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov...

Gjykata Penale në Shkup shpalli të pafajshëm ish-shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, Goran Grujovskin dhe Toni Jakimovskin, të akuzuarit në rastin “Thesari” që ka të bëjë me furnizimin e pajisjes elektro-komunikuese për nevojat e Drejtorisë së Pestë pranë DSK-së dhe trajnim për përdorim të tyre nga një firmë nga Britania e Madhe. Ndërkohë, për shkak të vjetërsimit absolut është ndërprerë procedura kundër të akuzuarit, Nebojsha Stajkoviq.
Sipas gjyqtares, Imrane Selmani, të akuzuarit lirohen nga akuzat, për shkak se prokurori publik nuk ka dëshmuar përtej njohurive të arsyeshme se të akuzuarit e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.
Ky është aktgjykimi i dytë për këtë rast pasi Gjykata e Apelit në Shkup i pranoi ankesat e të akuzuarve dhe në vitin 2022 e shfuqizoi aktgjykimin e shkallës së parë, i cili ishte sjell në vitin 2021.
Me aktgjykimin fillestar, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, u dënua me burg në kohëzgjatje prej tetë vitesh, ndërsa shefi i Drejtorisë së Pestë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Goran Grujevski, i cili gjykohej në arrati, ishte dënuar me dënimin me burg në kohëzgjatje prej 15 vitesh. Ish-ndihmësi i ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nebojsha Stajkoviq dhe Toni Jakimovski, ish shef i kabinetit të Mijallkovit, u dënuan me 5 vite burg.
