Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale 2024, KShZ: Nesër do të fillojë mbledhja e nënshkrimeve
22.02.2024 14:44
Përderisa partitë politike dalëngadalë po e përfundojnë procesin e publikimit të emrave.....

Përderisa partitë politike dalëngadalë po e përfundojnë procesin e publikimit të emrave të kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet e shtata presidenciale, edhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor zbaton procedurat e parashikuara në përputhje me Kodin Zgjedhor në këtë drejtim. Prej 23 shkurt e deri më 8 mars do të zhvillohet mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët për president. Gjatë kësaj periudhe, mbledhja e nënshkrimeve për përkrahjen e kandidatëve për president do të realizohet nëpër njësitë rajonale dhe zyrat e KShZ-së apo noterëve të caktuar nga iniciuesi i mbledhjes së nënshkrimeve. Sipas Kodit Zgjedhor, kandidatëve u nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime të mbledhura që të munden të dorëzojnë kandidaturën e tyre pranë KShZ-së ose të sigurojnë përkrahjen e 30 deputetëve. Afati i përfundimtar i dorëzimit të listës së kandidatëve për president është deri më 19 mars.
“Iniciativa për mbledhjen e nënshkrimeve për përkrahjen e kandidatëve për president fillon me dorëzimin e njoftimit dhe deklaratës për pranim të kandidaturës në KShZ, të cilat pastaj informojnë zyrat e njësive rajonale se do të fillojë procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për kandidatë të caktuar. Gjithashtu mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët mund të bëhet edhe pranë noterëve të cilat potencohet nga parashtruesi i iniciativës, të cilën e dorëzojnë personat e autorizuar për përkrahjen e kandidaturave për president dhe sipas Kodit Zgjedhor përbëhet nga grupi zgjedhësish me mbledhjen e nënshkrimeve, ku në këtë mënyrë detyrohen të mblidhen mbi 10 mijë nënshkrime.”, - deklaroi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Në ndërkohë kontrolli publik i Listës Zgjedhore fillon prej 28 shkurt edhe e njëjta do të zgjasë deri më 18 mars, për dallim nga paraqitja e mërgimtarëve tanë për të votuar në diasporë, e cila ka filluar të zbatohet prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve dhe e njëjta zgjat deri më 18 mars.
“Të gjithë qytetarët e RMV-së do të kenë shansin e fundit brenda këtij afati të parashikuar t’i kontrollojë të dhënat e tyre në Listën Zgjedhore dhe njëkohësisht të intervenojmë në qoftë se hasin në ndonjë parregullsi tek e njëjta, duke deponuar kërkesat e caktuara në bazë të dhënave të cilat i shohin si jo të sakta në Listën Zgjedhore.”, - theksoi zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, do të fillojë më 4 prill dhe e njëjta do të zgjasë deri në mesnatën e 22 prillit.
REXHEP QAMILI
