Maqedoni
Ruzhin: BDI të përfshihet në bisedime, shihet garanci e implementimit të marrëveshjes
03.04.2015 15:22
Në formën që kanë filluar bisedimet për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni...

Në formën që kanë filluar bisedimet për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, përfaqësuesit e dy partive maqedonase do të kthehen në vend vetëm me marrëveshjen për t’u marrë vesh, e kjo nuk paraqet asgjë serioze, thotë për TVM2 profesori universitar, Nano Ruzhin.
Sipas tij, që kriza t’i përafrohet zgjidhjes eventuale dhe të arrihet stabilitet në vend, është e domosdoshme edhe pjesëmarrja e BDI-së në këto bisedime, sepse ajo është pjesë e pushtetit.
Kur e kemi parasysh faktin se akuzat e LSDM-së janë të orientuara kryesisht ndaj VMRO–DMPNE-së, BDI me pozicionin që ka do të mund të luante jo vetëm rolin e lehtësuesit në arritjen e një marrëveshjeje politike, por marrë parasysh forcat në kuvend, edhe të garantuesit se marrëveshja eventuale do të implementohej.
“Patjetër duhet t’i thotë stop VMRO-së në aspekt politik dhe nuk duhet të lejojë rrënimin e demokracisë në vend. Pa BDI-në, si pjesëmarrje në bisedime, nuk mund të arrihet as stabilizimi i vendit, e as dalja nga kjo krizë politike”- deklaroi analisti, Nano Ruzhin.
Por, pa marrë parasysh sa do të rezistojë VMDO-DPMNE, marrëveshje do të arrihet, thotë Ruzhin, sipas të cilit, zgjidhje më e shpejt dhe më e mirë për dalje nga kriza do të ishte formimi i qeverisë kalimtare, e cila do të mund të organizonte zgjedhje të lira dhe demokratike.
“Ka elemente të tjera që janë të rëndësishme. Në bisedime medoemos duhet të vendoset në rend dite edhe konstituimi i qeverisë kalimtare, si çështje shumë e rëndësishme dhe unë shpresoj se tanimë kanë menduar për këtë çështje. Vetë fakti që u pranua që bisedimet të realizohen në Bruksel, flet se faktori ndërkombëtar ka ndikim, tani është çështje kohe kur do të arrihet marrëveshja politike”- tha analisti, Nano Ruzhin.
Sipas Ruzhinit, kjo nuk është betejë vetëm mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, por betejë e atyre që janë pro demokracisë dhe atyre që janë kundër lirisë dhe demokracisë.
SANIJE KASAMI
