Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale, BDI do të garojë me Bujar Osmanin

22.02.2024 15:55

Ka filluar të kompletohet lista e kandidatëve, të cilët do të garojnë për zgjedhjet presidenciale....

Ka filluar të kompletohet lista e kandidatëve, të cilët do të garojnë për zgjedhjet presidenciale. Lajmi i madh që e paralajmëronte BDI është se garues i tyre në zgjedhjet parlamentare do të jetë ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Lideri i integristëve kërkoi që të bëhet bashkë për siç tha referendumin më të rëndësishëm të kohës, që në këtë rast për BDI-në është që t’i thuhet JO Rusisë e PO Evropës, si dhe zgjedhja e presidentit dhe zëvendëspresidentit të bëhet me 2/3 e votave dhe me shumicë të dyfishtë të Badinterit.  
 
“Bujari ka dëshmuar veten në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhënjyer në betejën kundër Rusisë, si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në BE. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm dhe betejën e kohës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim në Kuvend me shumicë të 2/3 të votave dhe me Badinter për të realizuar vizionin tonë për president konsensual.”, - deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Arben Taravari, për të cilin blloku opozitar shqiptar shpall kandidaturë për president, mbrëmë propozoi që në ndryshimet kushtetuese krahas futjes së pakicës bullgare, të hiqet edhe 20 për qindëshi dhe presidenti i vendit në të ardhmen të votohet nga Kuvendi. 
 
“Synojmë që në hapjen e ardhshme të Kushtetutës të përfshihen tre elemente: futja e pakicës bullgare dhe pakicave tjera, heqjen e 20% që definon gjuhën shqipe dhe zgjedhjen e presidentit ta bëjë Kuvendi dhe jo përmes zgjedhjeve. Ky është një lajm i rëndësishëm. Në këtë mënyrë në të ardhmen, forcat politike që përfaqësojnë dy kombet më të madha do të vendosin bashkë në Kuvend për shpërndarjen e tre posteve më të larta shtetërore.”, - theksoi kandidati për president i “Vlen”, Arben Taravari.  
 
Partitë i publikuan emrat e kandidatëve
 
Presidenti Stevo Pendarovski do të jetë kandidat i LSDM-së dhe do të luftojë për mandatin e dytë në Villën Vodno. LSDM-ja e ka konfirmuar mbrëmë kandidaturën. Kjo do të jetë kandidatura e tretë radhazi e Pendarovskit, ai ka një fitore dhe një humbje. Sikurse 5 vite më parë, Pendarovski kundërshtar do të ketë profesoreshën, Gordana Suljanovska Davkova, nga VMRO-DPMNE. Opozita e konfirmoi  kandidaturën  e Siljanovskës ditë më parë dhe ajo duhet të konfirmohet në konventë partiake në fillim të marsit.
 
“Është koha për një dimension femëror në politikë, është koha e konsensusit pavarësisht nga përkatësia partiake, etnike, fetare e të tjera. Nëse ndërtojmë konsensus, dhe unë edhe në Kuvend jam munduar që pikërisht atë ta ndërtoj. Mua gjatë këtyre 4 viteve më së shumti më ka inspiruar filozofia se nëse nuk vetë respektohemi nuk mund të presim respekt nga të tjerët. Me retorikën BE, pro BE-së ose Front Evropian nuk shkohet në BE, atje shkohet me standard.”, - u shpreh kandidatja për president e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska – Davkova. 
 
Kandidimin e ka shpallur edhe kryetari i komunës së Karposhit dhe kryetari i GROM-it, Stevçe Jakimovski. Në zgjedhjet e fundit presidenciale ai e ka përkrahur kandidatin e opozitës, por tashmë është kundërshtar i ashpër i VMRO-DPMNE-së.  Në opinion flitet se në garë presidenciale do të futet edhe kryetari aktual i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrivski, si kandidat i Lëvizjes “E di”.  Por, zyrtarisht kjo do të publikohet nesër. Kandidaturën, e para e shpalli profesoresha Biljana Vankovska, e cila do të jetë kandidate presidenciale e Partisë e Majta. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve është më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
 
SANIJE DURAKU