Maqedoni
Kuvend, propozim-ligji për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve
22.02.2024 16:16
Ndryshimet ligjore për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve publikë përplasën dy taboret politike LSDM dhe VMRO në Kuvend...

Ndryshimet ligjore për Akademinë e gjykatësve dhe prokurorëve publikë përplasën dy taboret politike LSDM dhe VMRO në Kuvend. Ndryshimet u mundësojnë kandidatëve në akademi që të japin provimet me shkrim në këto momente kur nuk funksionon sistemi elektronik i dhënies së provimeve. Opozita konsideron se ekziston tendenca që në akademi të pranohen njerëz të dëgjueshëm partiak, të cilët në të ardhmen pasi të punësohen në sistemin gjyqësor do të fshehin krimet e pushtetit dhe të njëjtat të kalojnë pa u ndëshkuar. Pretendimet e tilla u përgënjeshtruan nga LSDM.
“Besoni se ky është një ligj me të cilin pushteti mundëson dhe ka tendencë që të mundësojë në të ardhmen, që të gjitha krimet e bëra paraprakisht të kalojnë pa u ndëshkuar. Në janar, me vendim të Qeverisë u votua që provimi të jepet me shkrim, e jo në formën e vjetër, me qëllim që të sigurohen kuadro të dëgjueshëm dhe si pasojë e reagimit të opinionit publik ky vendim tërhiqet dhe sillet ligj me flamur evropian.”, - deklaroi Beti Stamenkovska Trajkovska nga VMRO-DPMNE.
“Dhënia e provimit pranues është bllokuar, si pasojë e pamundësisë që të realizohet furnizimi publik për mirëmbajtjen e softuerit për dhënien e provimeve. Për momentin, procedura e tenderimit është akoma në fazën e bisedimeve rreth përcaktimit të përmbajtjes dhe për shkak të kësaj kërkohet mënyrë që me këtë propozim-ligj që të mundësohet që provimi pranues në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik të realizohet pa pengesa.”, - theksoi Zhaklina Llazarevska nga LSDM.
Ndryshimet ligjore hyjnë në fuqi 30 ditë pas miratimit. Në garë për t’u bërë pjesë e akademisë janë 300 kandidatë. Nga VMRO thonë se ligji është shumë kundërthënës, pasi miratohet në një periudhë parazgjedhore, ku janë të ndaluar punësimet në sektorin publik. Sipas opozitës, kandidatët me dhënien e provimit marrin statusin e të punësuarit.
MERAL ISMAILI
