Maqedoni
Agjencia për kadastër të patundshmërisë, rritja e papritur e çmimeve të shërbimeve kadastrale
22.02.2024 17:25
Rritja e papritur e çmimeve të shërbimeve kadastrale ka shkaktuar shqetësime të mëdha dhe një ndjenjë të pakënaqësisë në mesin e qytetarëve....

Rritja e papritur e çmimeve të shërbimeve kadastrale ka shkaktuar shqetësime të mëdha dhe një ndjenjë të pakënaqësisë në mesin e qytetarëve. Ata janë të shqetësuar për pasoja të mundshme financiare që do të ndikojnë në buxhetin e tyre. Rritja enorme në kadastër sigurisht që nuk është e mirëpritur prej tyre, duke pasur parasysh se për një fletëpronësie nëse deri tani kemi paguar 1,250 denarë, tash e tutje rritja do të jetë më e lartë, afër 4.000 mijë denarë.
“Kjo është në trend. Edhe kjo po bëhet më e shtrenjtë. Kështu më duket mua.”, - tha një qytetar.
“Jeta e qytetarëve po bëhet më e vështirë dhe dyfish. Jo vetëm në kadastër, por ka rritje të çmimit edhe të dokumenteve personale.”, - tha një qytetar tjetër.
“Katastrofë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne, pensionistët do të vdesim për të ngrënë.”, - u shpreh një qytetare.
“E po, keq, shumë keq. Do të jetë e vështirë, shumë e vështirë.”, - u shpreh një qytetar.
Rritja e re e çmimeve nënkupton se për regjistrimin e banesës së re në Agjencinë për regjistrimin e fletëpronësisë, qytetarët në vend të 1,250 denarë do të paguajnë së paku 3,750 denarë, plus 600 denarë për shërbime noteriale. Nëse blejnë edhe një garazh, do të duhet të paguajnë edhe një tjetër fletërponësie, gjegjësisht 1,250 denarë shtesë. Tani akti në fazën e ndërtimit do të kushtojë 5,250 denarë, ndërsa fshirja e shërbimit të parashënimit do të jetë 2,625 denarë. Përveç kësaj, qytetarët duket se janë të shqetësuar për mungesën e transparencës në lidhje me arsyet e rritjes së këtyre çmimeve. Edhe pse u bë njoftim për rritjen e kostove të institucionit, mungesa e një sqarimi të detajuar nga kreu i kadastrës për shkaqet e kësaj rritjeje rëndon më tej shqetësimin e tyre.
SEDAT SELIMI
