Maqedoni
KEAM shënon 66 vjetorin e themelimit të NATO-s
03.04.2015 15:47
Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë shënoi ditën e themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, e njohur si NATO...

Me këtë rast, kreu i Këshillit Euroatlantik, Ismet Ramadani, kërkoi tejkalimin e krizës politike në vend dhe ndihmën e miqve ndërkombëtarë për tejkalimin e kësaj sfide, e cila edhe më shumë po dëmton procesin eurointegrues.
“Si pretendent për anëtarësim në NATO dhe BE, ne po ashtu kërkojmë që edhe një herë të na shtrihet dora nga përfaqësuesit e NATO-s, nga BE, nga ShBA, si partner strategjik që definitivisht me mediator dhe në forma të ndryshme të na ndihmojnë edhe kësaj radhe që të dalim nga kjo krizë politike”- deklaroi kreu i Këshillit Euroatlantik i Maqedonisë, Ismet Ramadani.
Mirëpo, shefi i zyrës së NATO-s në Shkup, kapiteni Rumen Radev, përsëriti qëndrimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, se deficiti i dialogut politik, besimi në shtetin ligjor dhe deficiti i lirisë së mediave janë sfidat që duhet tejkaluar. Ai theksoi nevojën për zbatimin e MO-së dhe tejkalimin e kontestit rreth emrit.
“Marrë parasysh se vendimi për zgjatjen e ftesës për anëtarësim është një vendim politik dhe bazohet në konsensusin e të gjithë vendeve anëtare, vendi duhet në formë aktive të kërkojë zgjidhje e cila do të hapte rrugën për anëtarësim në NATO dhe në BE, gjithashtu”- tha shefi i zyrës së NATO-s në Shkup, Rumen Radev.
Sa i përket reformave në Armatën e Maqedonisë, zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishta, thotë se reformat në dikaster po zhvillohen në vazhdimësi, por kjo nuk është e mjaftueshme që vendi të behet pjesë e NATO-s.
“Armata e vendit tonë vazhdon me procesin dinamik të transformimit deri në vitin 2016. RM-së mund të arrijë anëtarësimin e saj në NATO duke zbatuar reformat e vazhdueshme me shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve vendore me mbështetje të fuqishme të publikut dhe me koordinim dhe bashkëpunim mes sektorëve të ndryshëm”- theksoi zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishti.
Katër prilli është dita e themelimit të NATO-s, 66 vite më parë, e cila sot numëron 28 vende anëtare, ndërkaq vazhdon politikën e “Dyerve të hapura”.
SHPËTIM NUREDINI
