Maqedoni
“Hekurudhat e Maqedonisë”, marrëveshje kolektive me sindikalistët
03.04.2015 16:02
Marrëveshja kolektive e nënshkruar sot mes udhëheqësisë së Ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë”-transporti...

Marrëveshja kolektive e nënshkruar sot mes udhëheqësisë së Ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë”-transporti dhe përfaqësuesit e Sindikatave të Pavarura përmban të gjitha kërkesat e të punësuarve dhe është në pajtim me Ligjin për Marrëdhënie të Punës dhe marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik.
Kështu vlerësuan drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrje publike, Nikolla Kostov, dhe sindikalisti, Gjoko Ilievski.
"Shpresoj se me marrëveshjen kolektive i zgjedhim të gjitha problemet nga aspekti i të drejtave dhe kërkesave të të punësuarve. Pres që marrëveshja kolektive të jetë fillim i një zhvillimi të ri gjatë punës në “Hekurudhat e Maqedonisë”"- deklaroi drejtori i përgjithshëm i HM-së, Nikolla Kostov.
"Gjetëm gjuhë të përbashkët me kryesinë dhe shpresoj se si të punësuar do të kemi benefite më të mëdha. Në tërësi janë përmbushur kërkesat tona"- tha Gjoko Ilievski nga Sindikata e Filialit “Tërheqja”.
Me nënshkrimin e marrëveshjes kolektive nuk u pajtua Sindikata e Pavarur e Personelit Makinist, anëtarë të së cilës sot protestuan para kësaj ndërmarrje.
Ata kërkojnë koeficient më të lartë për punë nga ata që janë paraparë në marrëveshjen kolektive.
Por, drejtori Kostov vlerësoi se kërkesat e tyre janë absurde dhe në kundërshtim me mrrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik.
Ai potencoi se rrogat paguhen rregullisht dhe se të ardhurat e përgjithshme mujore të një makinisti janë 36 mijë denarë, prandaj do të sanksionohen ata që nuk i kryejnë obligimet e punës.
GYLTENE SINANI
