Botë
Netanjahu prezanton planin e pasluftës për Gazën
23.02.2024 14:04
Kryeministri izraelit Netanjahu prezantoi planin e pasluftës për Gazën...

Kryeministri izraelit Netanjahu prezantoi planin e pasluftës për Gazën. Pas luftës, ai do t'ua dorëzojë atë kuadrove vendas që nuk janë të lidhur me Hamasin për të drejtuar shërbimet në Rripin e Gazës. Dokumenti përmban një grup parimesh që kryeministri i ka theksuar që në fillim të luftës, por është hera e parë që ato paraqiten zyrtarisht për miratim në kabinet. Netanjahu mbetet në qëndrimin se pengjet duhet të lirohen.
“Ne nuk do të dorëzohemi, do ta arrijmë qëllimin tonë, varësisht sipas nevojës ose me mjete ushtarake ose nëse është e mundur edhe në mënyrë politike. Në çdo rast, ne do ta rikthejmë sigurinë.”, - deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu.
Organizata e Kombeve të Bashkuara theksoi nevojën për një marrëveshje të menjëhershme dhe lirimin e pengjeve para muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Nëse dhuna në Gazë nuk ndalet dhe tensionet dhe kufizimet mbeten të larta në Bregun Perëndimor, përfshirë Jerusalemin Lindor, muaji i shenjtë i Ramazanit rrezikon të bëhet një tjetër shënues i paqëndrueshëm dhe jo një kohë për reflektim dhe shërim.”, - theksoi koordinatori special i OKB-së për procesin e paqes në Lindjen e Mesme, Tor Venesland.
“Nuk mund të ketë armëpushim të qëndrueshëm në Gazë pa liruar pengjet. Ne thamë se Izraeli nuk duhet të vazhdojë me një operacion që e dimë se do të krijojë më shumë vuajtje dhe do të përkeqësojë krizën humanitare në mungesë të një plani të zbatueshëm për të mbrojtur civilët.”, - u shpreh zëvendësambasadori i ShBA-së në Kombet e Bashkuara, Robert Vud.
Shtëpia e Bardhë, e cila ka dërguar një zyrtar të lartë në rajon, thotë se bisedimet me udhëheqësit izraelitë po shkojnë mirë. Sinjalet pozitive vijnë edhe nga ana tjetër. Ndërkohë luftimet në Rripin e Gazës vazhdojnë. Ushtria izraelite pretendoi se kishte gjetur tunele të Hamasit dhe dyqane armësh në zonë dhe thanë gjithashtu se vranë më shumë se 10 luftëtarë të Hamasit në perëndim të Kan Junisit.
BELINDA KOKA ADEMI
