Maqedoni
Bojmacaliev: Kanë arritur 140 mijë formularë për pasaporta
23.02.2024 14:28
Mbrëmë në pikën kufitare “Bogorodicë” kanë arritur formularët e rinj për 140,000 pasaporta...

Mbrëmë në pikën kufitare “Bogorodicë” kanë arritur formularët e rinj për 140,000 pasaporta, njoftoi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Mitko Bojmacaliev. Sipas tij, shumë shpejt do të arrijë një dërgesë tjetër prej 85 mijë formularësh, e cila plotëson numrin prej 225 mijë formularësh.
“Deri më tani janë pranuar 1,509,600 formularë për dokumente udhëtimi dhe me formularët që do të mbërrijnë nesër dhe deri në fund të muajit do të jenë gjithsej 1,734,600. Gjithashtu, një tjetër dërgesë prej 85,000 formularësh do të arrijë shumë shpejt.”, u shpreh Bojmacaliev.
Bojmacaliev: Pasaporta edhe në përfaqësitë diplomatike
Ai njëherit fton diasporën, që përveç fletëve të udhëtimit falas, t’i shfrytëzojnë edhe stacionet bazë në përfaqësitë diplomatike konsulare për nxjerrjen e dokumenteve të udhëtimit.
“Aktualisht kërkesë për dhënien e dokumenteve të udhëtimit parashtrohet në gjithsej 25 përfaqësi diplomatike edhe atë në: Lublanë, Londër, Bern, Berlin, Bon, Mynih, Vienë, Njujork, Çikago, Venedik, Romë, Maltë, Stokholm, Kopenhagë, Pekin, Malmë, Abu Dabi, Oslo, Bruksel, Hagë, Paris, Toronto, Detroit, Melburn dhe Kanbera.”. tha Bojmacaliev.
Procesi i dhënies së dokumenteve të udhëtimit në përfaqësitë diplomatike-konsulare zgjat prej 15 deri në 30 ditë. Dhënia e dokumenteve në përfaqësitë diplomatike konsulare ka filluar që nga tetori i vitit 2021 dhe deri më tani këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar 47,726 qytetarë, bën të ditur zëvendësministri i Brendshëm, Bojmacaliev.
REXHEP QAMILI
