Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale, filloi afati i grumbullimit të nënshkrimeve
23.02.2024 14:54
Ka filluar edhe zyrtarisht afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë dhe do të zgjasë deri më 8 mars....

Ka filluar edhe zyrtarisht afati për mbledhjen e nënshkrimeve për kandidatët për president dhe për kandidatë për deputetë dhe do të zgjasë deri më 8 mars. Kur parashtruesi i listës së kandidatëve për president është një grup votuesish, është e nevojshme të mblidhen së paku 10,000 nënshkrime nga zgjedhësit e regjistruar në Listën Zgjedhore, ndërsa kur paraqitësi i listës së kandidatëve për president janë deputetë, është e nevojshme që mbledhin të paktën 30 nënshkrime nga deputetët, e në raste kur nuk kanë 30 deputetë, përsëri nevojiten 10 mijë nënshkrime.
Arbër Ademi nga BDI informoi se integristët kanë filluar me grumbullimin e nënshkrimeve në mbështetje të kandidatit të tyre për president, Bujar Osmani. Ai sërish ripërsëriti se cila do parti që do të koalicionojë me BDI-në, patjetër të pranojë që të ndryshohet Kushtetuta, si dhe që zgjedhja e presidentit të bëhet në Kuvend me 2/3 e votave dhe me Badenter.
“Prandaj kërkojmë përkrahje absolute, masive të shqiptarëve dhe qytetarëve të tjerë për kandidaturën e Bujar Osmanit, që të na mundësojë ta ndryshojmë Kushtetutën njëkohësisht, edhe për zgjedhjen e Presidentit dhe amendamentet kushtetuese që rrjedhin nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë. Kjo do të jetë qëndrimi i BDI-së edhe për rreth të dytë të zgjedhjeve presidenciale edhe për zgjedhjet parlamentare dhe ne do t’ia arrijmë.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
Tani më dihet se opozita shqiptare VLEN do të garojnë me Arben Taravarin. Edhe ky i fundit propozoi që në Kushtetutë të futen bullgarët, të hiqet 20%, si dhe që presidenti të zgjidhet në Kuvend.
Dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, garës do t’i futen me të njëjtit persona që kanë garuar në zgjedhjet e fundit presidencale. Pra, LSDM-ja do të mbështesë presidentin aktual, Stevo Pendarovski, ndërsa DMPNE-ja profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova. Në këto zgjedhje presidenciale, forcën e tyre politike do ta masin edhe dy kryetarë komunash, ai i komunës së Karposhit, Jakimovski dhe i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Në garën presidenciale do të marrë pjesë edhe një profesoresha tjetër, Biljana Vankovska, e mbështetur nga E Majta. Në mesin e numrit të madh të kandidatëve, në këto zgjedhje do të kenë edhe një përfaqësuese nga Bashkimi Demokratik Boshnjak, kandidate e së cilës është Mersiha Smailoviq.
“Për mua kjo kandidaturë është sfidë e vërtetë në më shumë aspekte, është nder dhe privilegj, por mbi të gjitha është përgjegjësi e madhe. Jam e vetëdijshme se jam pjesëtare e bashkësisë boshnjake por në këtë shoqëri gjithmonë ka pasur individë të suksesshëm dhe si popull kemi pasur ndikim të madh në shoqëri, por asnjëherë nuk kemi pasur kandidat pretendent për këtë funksion të lartë, prandaj vlerësoj se ky është moment i vërtetë për përfshirjen aktive në të gjitha sferat shoqërore.”, - theksoi kandidatja presidenciale e BDB-së, Mersiha Smailoviq.
“Qëllimi ynë është që të sjellim koncept të ri dhe standarde të reja, sepse RMV-ja e meriton këtë. RMV-ja duhet të dalë nga kjo botë e errët që po funksionon dhe këtë mund ta bëjnë qytetarët. Derisa kemi përkrahje për mbledhjen e nënshkrimeve, kjo nënkupton se do të kemi dhe përkrahje edhe gjatë votimit dhe jo vetëm që do të rritet demokracia, por qytetarët do të dërgojnë porosi të qartë se duan diçka të re.”, - u shpreh kandidati presidencial i Lëvizjes “E di”, Maksim Dimitrievski.
“Ne akoma nuk jemi një kërcënim derisa nuk mblidhen 10 mijë nënshkrimet. Por, nëse dikush ndihet i kërcënuar duhet pyetur opinionin pse ajo është ashtu, pikërisht Vankovskës të mos i jepet e drejta të marrë pjesë baras me të tjerët në betejën e vërtetë politike. Detyrën tonë e kemi kryer në mënyrë perfekte në të gjitha njësitë rajonale, listat tona janë dorëzuar, njerëzit tone të autorizuar i kanë vizituar.”, - theksoi kandidati presidencial i partisë E Majta, Biljana Vankovska.
Kandidaturën për president fillimisht e shpalli mjeku, Velo Makrovski, i cili do të mbledhë nënshkrime si kandidat i pavarur. Pas shumë vitesh, zgjedhjet presidenciale do të jenë një betejë e fuqishme në skenën politike. Këto janë zgjedhjet e para presidenciale në të cilën do të kemi 9 kandidatë për president. Zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 24 prill, ndërsa rrethi i dytë i zgjedhjeve është më 8 maj, kur duhet të mbahen edhe zgjedhjet parlamentare.
SANIJE DURAKU
