Maqedoni

Ideja për zgjedhjen e presidentit në Kuvend përplas BDI-në dhe opozitën shqiptare VLEN

23.02.2024 15:15

Ideja për zgjedhjen e kryetarit të shtetit në Kuvend ka përplasur Bashkimin Demokratik për Integrim dhe opozitën shqiptare...

Ideja për zgjedhjen e kryetarit të shtetit në Kuvend ka përplasur Bashkimin Demokratik për Integrim dhe opozitën shqiptare. Arbër Ademi thekson se ideja buron nga BDI. Thelbi i idesë së liderit, Ali Ahmeti, është zgjedhja e presidentit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me shumicë të Badenterit për të siguruar konsensus shoqëror mbipartiak që mundësohet mbi 80 vota në Kuvend dhe konsensus ndëretnik që mundësohet me shumicën e Badenterit në mënyrë që të parandalohet mbivotimi etnik.
 
“Pikërisht këtë ide derivatet e BDI-së të udhëhequr nga kryetari i shkarkuar i Aleancës nuk e kishin kuptuar kur e kanë lexuar paraprakisht një ditë para fjalimin e Ali Ahmetit, pasi që kishin arritur ta sigurojnë para kohe fjalimin e djeshëm të kryetarit tonë. Këtë ide, zoti Ali Ahmeti e shpalosi në Kongresin e dytë zgjedhor të BDI-së në vitin 2009 në Shkup kur i numëroi 12 pozitat asokohe të paarritshme për shqiptarët, ndërsa i kishim në programin zgjedhori që në vitin 2014, 2016 dhe 2020.”, - deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Arbër Ademi.
 
Por, nga opozita shqiptare VLEN thonë se ideja ishte e kandidatit të tyre për president, Arben Taravari.
 
“Tejet nënçmuese për mitin e Ali Ahmetit është që të konkurrojë me teza bajate vetëm e vetëm të konkurrojë me propozimin e kandidatit të opozitës së bashkuar shqiptare doktor Arben Taravari, që në të ardhmen zgjedhjet e të parit të shtetit të bëhen në Kuvend.”, thanë nga Koalicioni “VLEN”.
 
Kryetari i LSDM-së, Kovaçevski, nuk ka dashur të komentojë deklaratat e BDI-së dhe koalicionit opozitarë VLEN për president që do të zgjidhet në Kuvend. 
 
“Nëse ju flisni për ndryshimin e Kushtetutës, ajo varet nga dy të tretat, prandaj nuk do t’i komentoja, sepse në 80 ditët e ardhshme do të dëgjoni shumë propozime të cilat në fund të ditës, më 8 maj qytetarët do të thonë se cilat janë propozimet të cilat ata i duan.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.
 
LSDM-ja mbetet në paralajmërimin se do të udhëheqë koalicion që do ta përbëjnë parti politike të cilat ndajnë vlera të njëjta për anëtarësimin e vendit në BE. Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja ka kundërshtuar idenë e zgjedhjes së presidentit në Kuvend. Nga kjo parti vlerëson se presidenti duhet të dalë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta dhe jo të zgjidhet në Kuvend. Ideja për një president të tillë sipas VMRO-së është kthim mbrapa në demokraci. 
 
FLORIJE KAMBERI