Maqedoni

Dekriminalizimi i shpifjes, në gjykatë janë parashtruar 368 lëndë

03.04.2015 16:30

Që nga miratimi i Ligjit për Dekriminalizimin e Shpifjes dhe Ofendimit, në Gjykatën Themelore 2 në Shkup janë pranuar 368 lëndë...

Sipas të dhënave nga kjo gjykatë, në 30 raste të dyja palët në procedurë janë gazetarë apo redaktorë,ndërsa vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti kanë pasur 14 lëndë të tilla.
 
“Që nga dekriminalizimi i shpifjes dhe ofendimit, në gjykatë janë pranuar 368 lëndë me bazë shpifjen dhe ofendimin, prej tyre janë zgjidhur 225 lëndë, ndërsa vetëm gjatë vitit 2014 në gjykatë janë pranuar 102 lëndë. Po këtë vit gazetarët, redaktorët ose kryeredaktorët paraqiten si paditës apo të paditur në 30 lëndë. Në tremujorin e parë të vitit 2015 në gjykatë janë regjistruar 33 lëndë për shpifje dhe ofendim, prej tyre 14 gazetarë, redaktorë ose kryeredaktorë paraqitën në statusin e të paditësit dhe të paditurit”- deklaroi zëdhënësja e Gjykatës 2 në Shkup, Sonja Tomiq.
 
Në lëndët për shpifje dhe ofendim për periudhën e vitit 2014 dhe tremujorin e parë të vitit 2015, në 4 lëndë palë janë edhe funksionarë politikë, ku funksionarë publik padisin gazetarët apo mediat, duke mos munguar as rastet ku po në të njëjtën periudhe gazetarët, redaktorët dhe kryeredaktorët padisin funksionarët publik.
 
Dëmshpërblimi i dëmit të personi fizik apo juridik në raste të vërtetimit të fajit përcaktohet në bazë të kritereve dhe rrethanave. 
 
Lëndët për shpifje dhe ofendim të iniciuara nga shtetas të Maqedonisë nuk kanë munguar as në Gjykatën Ndërkombëtare për të Drejta të Njeriut, por deri më tani në asnjë lëndë kundër Maqedonisë nuk ka konstatuar shkelje të nenit 10, që garanton lirinë e të shprehurit.
 
Nga GJND-ja rekomandojnë që paraprakisht të shteren të gjitha instancat gjyqësore para se të drejtohen atyre ndërkombëtare.      
                                                               
FLORIJE KAMBERI