Shqipëria luan miqësore me Lihtenshtejn
23.02.2024 16:26
Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore në muajin qershor ndaj Lihtenshtejn....

Shqipëria do të luajë një ndeshje miqësore në muajin qershor ndaj Lihtenshtejn. Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur akordin me Federatën e Lihtenshtejnit që ky takim të zhvillohet më datë 3 qershor 2024 në Austri. Orari dhe stadiumi do të përcaktohen në ditët në vijim. Sfidat miqësore janë në kuadër të përgatitjeve për Europianin “Gjermani 2024”. FSHF fillimisht ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore që do të luhen në muajin mars ndaj Kilit (22 mars, stadiumi “Enio Tardini”) dhe Suedisë (25mars, stadiumi “Friends Arena”). Sa i përket takimeve me Lihtenshtejn, kjo do të jetë hera e katërt që dy përfaqësueset do të përballen në një ndeshje futbolli.
Në të kaluarën Shqipëria i ka fituar të treja sfidat ndaj Lihtenshtejn me rezultatin e njëjtë 2-0. Një ndeshje ka qenë miqësore dhe dy të tjera të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Shqipëria do ta nisë rrugëtimin e saj në Kampionatin Europiani “Gjermani 2024” më 15 qershor ndaj Italisë. Sfida do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”. Katër ditë më pas, më datë 19 qershor kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të Europianit kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”. Ndeshjen e fundit në Grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.
