Ekonomi

Këshilli Ekonomik Social mbështeti masat për punësim

03.04.2015 16:38

Këshilli Ekonomik Social, njëzëri mbështeti masat me të cilat duhet të mundësohet punësimi i rreth 150 mijë personave të papunë...

Këshilli Ekonomik Social, njëzëri mbështeti masat me të cilat duhet të mundësohet punësimi i rreth 150 mijë personave të papunë të moshës deri në 35 vjeç, persona nga 35 deri në 50 vjeç, të cilët mbi 10 vite janë papunë, persona mbi 50 vjeç të papunë nga kategoritë e ndjeshme të qytetarëve dhe personave më të vjetër se 58 vjeç.
 
Masat janë pjesë e projektit qeveritar "Maqedonia punëson", theksoi  ministri i Punës dhe Politikes Sociale, Dime Spasov, sipas të cilit, këto masa duhet të ndihmojnë për rritjen e punësimit. 
 
“Këto masa realisht do të ndikojnë në uljen e papunësisë, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe të përmirësimit të jetës së mijëra qytetarëve, të cilët do të marrin vend adekuat të punës dhe do të realizojnë të ardhura të rregullta”- deklaroi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.
 
“Sindikatat dhanë mbështetjen për shkak të asaj se konsiderojnë që pakoja e masave paraqet edhe një kthesë shtesë në luftën kundër së keqes sonë shoqërore, që ishte e pranishme me dekada pas, lufta me papunësinë”- tha kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Zhivko Mitrevski.
 
Po ashtu, parashihet se përfitime nga këto masa do të kenë edhe kompanitë të cilat do t'i shfrytëzojnë ato, e sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilave do t'u mundësohet zvogëlimi i shpenzimeve personale dhe do të jenë më konkurruese në treg.
 
Së shpejti ndryshimet e paralajmëruara ligjore pritet të jenë në procedurë kuvendore.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI