Botë

SHBA dhe Koreja J. i përgjigjen me stërvitje ushtarake testimeve raketore të Koresë V.

23.02.2024 17:52

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut e kanë kryer një stërvitje të përbashkët ushtarake ajrore të premten mbi Gadishullin Korean...

Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut e kanë kryer një stërvitje të përbashkët ushtarake ajrore të premten mbi Gadishullin Korean, njoftoi Forca Ajrore e Koresë së Jugore, si përgjigje ndaj një sërë testimesh raketore nga Koreja e Veriut këtë vit.
 
Koreja e Veriut i ka kryer gjashtë runde të testeve raketore deri tani këtë vit. Raportohet se shumica e tyre përfshinin raketa lundruese të cilat fluturojnë në lartësi të ulët për ta shmangur mbrojtjen ajrore të kundërshtarëve.
 
Analistët thonë se në rast të ndonjë konflikti, Koreja e Veriut synon të përdorë raketa lundruese për t’i goditur aeroplanmbajtësit amerikanë, si dhe bazat ushtarake amerikane në Japoni.
 
Forca Ajrore e Koresë së Jugut tha se në stërvitjen e të premtes morën pjesë avionët luftarakë të gjeneratës së pestë, F-35A, nga të dyja vendet dhe avionë luftarakë nga Koreja e Jugut.
 
Koreja e Veriut i ka shpeshtuar testimet e armëve prej vitit 2022, dhe sipas ekspertëve, kjo është një përpjekje e saj për ta rritur ndikimin e vet në diplomaci në të ardhmen.
 
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut i janë përgjigjur duke i zgjeruar stërvitjet ushtarake.
 
Këtë vit, Koreja e Veriut pritet t’i rrisë testimet dhe retorikën e luftës, pasi edhe Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje.
 
Ma gjasë se Koreja e Veriut po kërkon të njihet ndërkombëtarisht si shtet bërthamor, një status për të cilin, sipas ekspertëve, Veriu mendon se do t’i ndihmojë të sigurojë lehtësira nga sanksionet e udhëhequra nga SHBA-ja.
 
Ka shqetësime se Koreja e Veriut mund ta nisë një provokim ushtarak kundër fqinjit të vet, Koresë së Jugut.
 
Ekspertët thonë se një sulm i plotë nuk është i mundur, pasi Koreja e Jugut dhe SHBA-ja kanë forca shumë më superiore se ajo.
 
Zyrtarët amerikanë dhe jugkoreanë kanë paralajmëruar vazhdimisht se çfarëdo sulmi bërthamor nga Koreja e Veriut kundër tyre, do ta nënshkruante fundin e Qeverisë së Veriut të udhëhequr nga Kim Jong Un.