Maqedoni

Transporti ajror, prej nesër linja Shkup-Gjenevë

03.04.2015 16:45

Nga Aeroporti i Shkupit prej ditës së nesërme do të fillojë të realizohet linja direkte ajrore Shkup-Gjenevë...

Kjo linjë në fillim do të realizohet një herë në javë, ndërsa gjatë sezonit të verës janë paralajmëruar dy fluturime në javë nga Shkupi për në Gjenevë.
 
Bileta për një drejtim do të kushtojë vetëm 40 euro. 
 
Sipas drejtorit të TAV-Maqedoni, Zoran Kërstevskit, kjo linjë direkte do të shërbejë edhe për shtetasit tanë që jetojë në ketë qytet, por edhe për zhvillimin e turizmit në vend. 
 
“Kjo është oferta e tretë e cila lidh Shkupin me Zvicrën. Krahas Bazelit dhe Cyrihut, tani po lëshohet edhe linja me Gjenevën. Gjithashtu nga fillimi i këtij viti është shënuar rritje prej 29% e numrit të udhëtarëve”- deklaroi drejtori i TAV-Maqedoni, Zoran Kërstevski.
 
Bernard Vodël, drejtori i Kompanisë “Swiss”, e cila do ta realizojë linjën direkte, ka shprehur kënaqësi që kanë arritur ta inkuadrojnë edhe qytetin e Shkupit në rrjetin e tyre ajror. Sipas tij, kjo linjë do të kontribuojë në marrëdhëniet midis Zvicrës dhe Maqedonisë. 
 
“Shkupi mbetet destinacion interesant turistik, ashtu si Ohri, dhe në këtë mënyrë presim që Maqedoninë ta afrojmë më afër Zvicrës”- tha drejtori i Kompanisë “Swiss”, Bernard Vodël.
 
Kompania zvicerane nga Aeroporti i Shkupit deri në Gjenevë do të operojë ditën e martë.
 
BESIM ABDULLAI