Zajaz, intensifikohen punimet për ndërtimin e kanalizimit
24.02.2024 13:12
Para disa muajsh...

Para disa muajsh kanë filluar punimet për ndërtimin e kanalizimit të ujrave fekal në fshatrat e rajonit të Zajazit. Rrjeti ka një shtrirje prej 100 kilometrash dhe ai financohet nga fondet e BE. Kreu i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, thotë se punimet kanë nisur mbarë dhe ato gjatë muajve të verës do të intensifikohen në të gjitha njësitë ndërtimore.
Punët për ndërtimin e kanalizimit në vendbanimet e rajonit të Zajazit, kanë nisur mbarë dhe ato zhvillohen sipas dinamikës së paraparë edhe përkundër pengesave të vogla që dalin nga kontestet pronësoro-juridike, thotë kreu i Kërçovës Fatmir Dehari.
“Në teren janë 7 ekipe që janë duke realizuar punimet dhe kjo na jep shpresë që muaji mars të jetë muaji me intensitet më të lartë dhe deri në fund të majit të arrijmë të sigurojmë kuotat e nevojshme të realizimit të këtij prokekti. Tanimë ka ndryshuar çdo gjë, meqë një vit përpara kemi qenë nën ankthin e asaj se a do të nisin punimet, ndërsa tani kemi nisur dhe të gjithë ne, si realizuesi, si kompania dhe ne shfrytëzuesit, ashtu të gjithë të angazhuar, por në veçanti Bashkësitë Lokale dhe qytetarët, vendbanimet që i përfëshin ky kanalizim, të jemi të kyqur në mbështetje të realizimit të këtij projekti. Punimet janë duke u realizuar në shumë vendbanime rurale dhe në qytet, është një projekt i madh dhe natyrisht kemi edhe probleme pronësoro-juridike. Është një ndërveprim ku të gjithë ne duhet të jemi të kyçur, e në veçanti Bashkësitë Lokale, unë jam në kontakt me të gjithë, me Garanën, Greshnicën, Zajazin, Shitovën. Atyre u kam kërkuar që të jenë në teren për të mirën e realizimit të këtij projekti. Shpesh ka ndodh që edhe hartuesit kanë bërë lëshime të ndryshme, por kemi hasur në mirëkuptim edhe nga ata” - tha Kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari.
Ky projekt që financohet nga BE kap shumën prej afro 16 milion eurosh dhe ai përfshin mbi 100 kilometra të rrjetit i cili do të lidhet me kolektorin pastrues në Kërçovë.
Gjatë muajve në vazhdim, punimet do të intensifikohen në të gjitha njësitë ndërtimore dhe sipas dinamikës së planifikuar ky projekt do të përfundojë brenda periudhës tre vjeçare. (Shaban Dalipi, TVM2)
