Zgjedhjet presidenciale, Ademi: Osmani ka mbështetje masive

24.02.2024 17:04

Partitë politike në aksion...

Partitë politike në aksion të grumbullimit të nënshkrimeve për kandidaturat presidenciale.  BDI mirënjohëse ndaj qytetarëve për mbështetjen që po i japin kandidatit të tyre Bujar Osmani në vazhdën e grumbullimit të dhjetë mijë nënshkrimeve të nevojshme. 
 
Ftuan qytetarët pa dallim etnie të mbështesin Osmanin. 
 
Njëkohësisht vunë në pah edhe idenë e zgjedhjes së presidentit në kuvend për të kursyer 20 milion euro shpenzime. Drejtuan edhe kritika ndaj VMRO – DPMNE-së.
 
“Thelbi i idesë së liderit Ali Ahmeti është zgjedhja e kryetarit të shtetit në Kuvend me 2/3 e votave dhe me Badinter, për të siguruar konsensus shoqëror, mbipartiak me mbi 80 vota në Kuvend si dhe me Badinter që të arrihet konsensus etnik për të parandalur mbivotimin etnik dhe imponimin e vullnetit të vetëm dy partive më të mëdha politike maqedonase. Jemi të zhgënjyer që VMRO-DPMNE-ja e sheh barazinë si kushtëzim dhe nxiton, si gjithmonë, të refuzojë idetë progresive për shkak të robërisë së mendjes konservatore në dominimin e imagjinuar etnik në shtetin e përbashkët.” - tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi. 
 
Petrushevski: BDI do ti kthejë qytetarët kundër vetes 
 
Nga VMRO – DPMNE konsiderojnë se BDI me sjelljet e tilla do t’i kthejë qytetarët kundër vetes.
 
“VMRO – DPMNE nuk negocion nën kërcënim.  Ne ftojmë qytetarët që të ndjekin këtë sjellje të BDI-së dhe kjo të jetë një motiv shtesë për të gjithë qytetarët në zgjedhje, të dëshmojnë se ky shtet nuk është peng I një partije politike  dhe BDI sikurse është sjellur 20 vitet e fundit me shtetin, vazhdon ta bëj të njëjtën.” - deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO – DPMNE.
 
VLEN: LSDM dhe VMRO na rikthejnë në vitet e 90-ta 
 
Edhe nga LSDM me qëndrim se presidenti duhet të zgjidhet në zgjedhje. Nga koalicioni VLEN thonë se qëndrimet e LSDM –së dhe VMRO-DPMNE-së rikthejnë vendin në vitet e 90’ta.
 
“Iniciativa për zgjedhjen e Kryetarit të RMV-së në Kuvend nuk është qasje monoetnike, por politikisht racionale. Qëndrimet e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së kundër përcaktimit të “VLEN” janë rikthim në vitin 1990, koha kur u perceptoheshte si tragjedi që shqiptarët të mbanin pozitat më të larta shtetërore”, thonë nga VLEN. 
 
Blloku opozitar shqiptar kritikojnë edhe qasjen e BDI-së, duke shtruar pyetjet nëse janë për një president shqiptarë atëherë përse nuk mbështesin kandidaturën e Arben Taravarit, pasi me Osmanin në garë po mundohen që të minojnë mundësinë që shqiptarët të kenë një kryetar shteti në vitin 2024. (Meral Ismaili, TVM2)