Grumbullimi i nënshkrimeve, KSHZ shpall listën

25.02.2024 18:32

Gjithsej14 360 qytetarë, janë nënshkruar...

Gjithsej14 360 qytetarë, janë nënshkruar për kandidatët për president. Nga të dhënat e shpallura nga KSHZ, asnjëri nga kandidatët nuk ka grumbulluar 10 mijë nënshkrimet e nevojshme.

Osmani ka grumbulluar më shumë nënshkrime

Më shumë nënshkrime 5405, ka grumbulluar Bujar Osmani, kandidat i BDI-së.

I dyti në listë me 3613 nënshkrime të grumbulluara renditet lideri i partisë ‘E Di’ Maksim Dimitrievski.

Kandidatja e mbështetur nga “E Majta”, Biljana Vankovska-Cvetkovska, ka marrë 2758 nënshkrime.

Nga kandidatët e tjerë afro 2 mijë nënshkrime ka kandidati i GROM-it, Stevço Jakimovski, i cili deri më tani ka 1974.

Në listën me 11 kandidatë, të gjithë të tjerët kanë më pak se një mijë firma. Kandidati i bllokut opozitar “VLEN”, Arben Tarvari ka 246 nënshkrime.

Partitë politike shqiptare këmbëngulin në kërkesën që presidenti të zgjidhet në kuvend.

BDI fton qytetarët të mbështesin Osmanin

BDI fton qytetarët për mbështetjen e Osmanit.

“BDI konsideron se qytetarët e vendit janë të bindur në idetë progresive të Ali Ahmetit. Këtë do ta dëshmojmë më 24 prill dhe 8 maj. Prandaj është e nevojshme që të gjithë votat të përqendrohen tek Bujar Osmani për të mundësuar ndryshimin e Kushtetutës dhe për zgjedhjen e presidentit dhe për ndryshimet kushtetuese, të cilat dalin nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, me të cilën do të shkojmë me vendosmëri drejt BE-së”, thonë nga BDI.

Taravari: Presidenti, me marrëveshje politike

Kandidati për president i opozitës shqiptare Arben Taravari konsideron se presidenti do të duhej të zgjidhej me marrëveshje midis partive.

“Unë mendoj se kompetencat e presidentit të shtetit janë të ngjashme sikurse në vendet fqinje sikurse Kosova dhe Shqipëria, vende këto që kanë sistem të ngjashëm sikursi sistemi ynë, pra sistem parlamentar. Mendoj se shteti nuk ka nevojë për shpenzime dhe presidenti mund të zgjidhet edhe në Kuvend, ashtu sikurse bëmë për herë të parë me zgjedhjen e presidentit të parë të shtetit. Qëndrimi ynë është se përderisa nuk kemi sistem presidencial, por parlamentar do të ishim më racional dhe sërish do të kishte marrëveshje midis partive politike në parlament.” – deklaroi Kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Kaevski: Kandidati ynë i mbështetur nga të gjithë

Partitë maqedonase konsiderojnë se presidenti duhet të zgjidhet nga vota e qytetarëve. Kryesia e LSDM-së ka vendosur të mbështesë Stevo Pendarovskin për kandidat presidencial. Kjo do të rikonfirmohet edhe në kongresin e partisë të dielën.

“Është me rëndësi që kandidati i LSDM-së do të përkrahet nga të gjitha bashkësitë etnike dhe do të përkrahet nga shumica e qytetarëve tanë dhe do të jetë fitues i zgjedhjeve presidenciale. Prandaj, nuk presim që zgjedhjet presidenciale të bojkotohen nga asnjë parti politike dhe pres mbështetje të madhe për kandidaturën e LSDM-së.” – tha zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.

Pendarovski sikurse kandidatja e VMRO-së Gordana Siljanovska Dafkova ka paralajmëruar grumbullimin e nënshkrimeve edhe përkundër mbështetjes partiake. Grumbullimi i nënshkrimeve për president që ka nisur më 23 shkurt, përfundon më 8 mars. (Meral Ismaili, TVM2)


KSHZ-NËNËSHKRIMET PËR PRESIDENCIALET

Bujar Osmani, BDI – 5 405

Maksim Dimitrievski, E di – 3 613

Biljana Vankovska-Cvetkovska, E Majta – 2758

Stevço JakimovskiGROM - 2 000

Arben Taravari, VLEN – 246