Maqedoni

Zaev: procesi po zhvillohet në mungesë provash

03.04.2015 17:31

Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, sërish është ftuar në prokurori lidhur me kallëzimin penal ndaj tij se ka kërkuar ryshfet prej 200 mijë eurosh...

Pas dëgjimit, Zaev tha se bëhet fjalë për kurth të kurdisur dhe, sipas tij, prokuroria po zhvillon një ndjekje penale në mungesë provash.
 
“Qesharake, është rasti i parë që nuk ka para dhe ka ndjekje për ryshfet. Rast të cilin unë e kam ndërprerë dhe haptazi informova me emër dhe mbiemër për person i cili me muaj tenton të bëjë kurth për arsye të cilat vetëm mund të paragjykoj, ndërsa lë opinioni që të gjykojë”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Zaevi gjithashtu tha se koha do të dëshmojë se cilat kanë qenë qëllimet e pozitës dhe opozitës lidhur me këtë rast.
 
Ndërkohë, i pyetur lidhur me publikimin e përgjimeve të fundit se nëse janë shpalosur të dhëna me përmbajtje të rëndësishme shtetërore, Zaev tha:
 
“Nuk mund të thuhet se bëhet fjalë për sekret shtetëror, pasi flitet për para të gatshme, xhirollogari të huaja. Unë jam edhe kryetar komune dhe e di që për donacione hapen llogari të posaçme dhe ka institucione në Maqedoni që mbajnë evidencë për donacionet. Donacioni nuk guxon të mbetet i fshehur. Si mundet që në deklaratën e MPB-së të thuhet që paratë janë dhënë për tatime dhe të dhëna tjera shtesë ndaj shtetit. Ma jepni një shembull kur një shtet i huaj jep donacione për pagesë të tatimit të Maqedonisë”- tha Zaev.
 
Ai që jep donacione asnjëherë nuk paguan tatime, tha Zaev, duke shtuar se Evropa kur bën donacione nëpërmjet fondeve të ndryshme, ose lirohet nga tatimet, ose ata që i pranojnë i marrin përsipër.
 
Ajo që vlen të theksohet, tha Zaev, se me publikimet e fundit është pranuar autenticiteti i përgjimeve. 
 
NAIM RAMADANI