Lufta Izrael – Hamas, thirrje për një marrëveshje mes palëve

26.02.2024 14:01

Në prag të bisedimeve në Katar...

Në prag të bisedimeve në Katar për një marrëveshje të re të mundshme të pengjeve dhe për armëpushim në Gazë, Izraeli tha se ofensiva në Rafah mund të anulohet nëse Hamasi bëhet realist dhe të arrihet një marrëveshje.
 
"Nëse Hamasi tërhiqet nga iluzionet e tij dhe zbret në tokë, atëherë ne do të kemi përparimin që të gjithë e duam. Ndryshe, pasi të fillojmë operacionin në Rafah, jemi vetëm disa javë larg fitores.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu. 
 
Netanjahu prezantoi planin për evakuimin e civilëve nga Rafah. ShBA-ja me qëndrimin e qartë, njerëzit duhet të mbrojnë veten.
 
"Ne kemi qenë të qartë se nuk duhet të vazhdojë operacioni i madh ushtarak në Rafah nëse nuk ekziston një plan i qartë dhe i zbatueshëm për të mbrojtur civilët,". – theksoi këshilltari për Sigurinë Kombëtare të ShBA-së, Xhejk Sullivan. 
 
OKB-ja alarmon për gjendjen humanitare në Gazë, kërkojnë ndërprerjen e luftimeve dhe dorëzimin e pengjeve. 
 
“Rafah është thelbi i operacionit të ndihmës humanitare. Një ofensivë gjithëpërfshirëse izraelite në qytet jo vetëm që do të ishte e tmerrshme për mbi një milion civilë, por gjithashtu do të vendoste gozhdën e fundit në arkivol.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteres. 
 
Luftimet në Rripin e Gazës vazhdojnë. Po intensifikohet edhe ofensiva në veri, ku ndihmat nuk kanë mbërritur për një muaj të tërë.
 
“Unë nuk mund t'i ushqej fëmijët e mi. Pa oriz, pa ushqim. Çfarë bëmë ne për ta merituar këtë?”, - tha qytetari palestinez, Naim Abuseido. 
 
“Ne i kërkojmë botës të gjejë një zgjidhje. Ne po vdesim nga uria.”, - u shpreh qytetari palestinez, Abo Mohamad. 
 
Qeveria izraelite njoftoi se armëpushimi i përkohshëm në Gazë nuk do të ndikojë në luftën për largimin e Hezbollahut nga kufiri me Libanin. 
 
Nga ana tjetër, Mbreti i Jordanisë ka paralajmëruar për kërcënimin e një konflikti më të gjerë nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij gjatë Ramazanit. 
 
Ndërkohë, kryeministri palestinez dha dorëheqjen për shkak të presionit të ShBA-së në Gazën e pasluftës për të riorganizuar autoritetin palestinez. 
 
Ai dëshiron të ndërtojë një konsensus të gjerë mbi marrëveshjet politike të pasluftës. (Belinda Koka - Ademi, TVM2)