Strugë, vazhdon gjykimi për nënën nga Dibra
26.02.2024 15:48
Me dëshminë e profesorit të Fakultetit...

Me dëshminë e profesorit të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup, Dr. Drage Dabeski, vazhdoi gjykimi për Jëlldëz Veaposkën, nënën nga Dibra, e cila gjatë lindjes së fëmijës në vitin 2020 në spitalin e Strugës iu nxorën tre organe: veshka, vezorja dhe mitra.
Në gjykatë me sugjerimin e mbrojtjes është paraqitur një ekspertizë e re, e cila është ndryshe nga ekspertiza e parë.
Për dallim nga ekspertët e mjekësisë ligjore, profesori Dabeski pohon se mjekët kanë bërë gjithçka për të shpëtuar Veaposkën gjatë komplikimeve që pati pas operacionit cezarian.
Megjithatë nuk dihet se si ka ndodhur gjakderdhja nga arteria renale. Paditësit thonë se nuk e pranojnë këtë ekspertizë.
“Ekspertiza e mjekësisë ligjore tregon se gjatë operacionit ka pasur lëshime dhe është pothuajse e pamundur të mendohet ndryshe. Të pandehurit do të duhet të përgjigjen për veprimet që kanë bërë ose nuk kanë bërë. Besoj se vetë gjykata është e interesuar të zbardhë të vërtetën, e vërteta se si është e mundur që një grua shtatzënë të hyjë e shëndetshme në sallën e operacionit dhe më pas të dalë pa tre organe. Është një mister.”, - theksoi avokati i nënës nga Dibra, Sasho Janev.
Avokati i të akuzuarës së tretë thotë se do të shihen të dy ekspertizat, të cilat janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Ndërsa Veaposka, në kërkim të drejtësisë thotë se mjekët në Strugë ia shkatërruan jetën dhe e kanë lënë me probleme të shumta shëndetësore.
“Është shumë e rëndësishme nëse ekspertët do të pajtohen që procedura të mos vonohet dhe nëse do të propozoj dëshmitarë të rinj do të varet nga marrëveshja. Ekzistojnë disa pretendime mjekësore të ndryshme dhe kontradiktore për atë se si ndodhi gjakderdhja.”, - u shpreh avokati i gjinekologes së akuzuar Liljana Jovanoska, Aleksandar Novakoski.
“Në ekspertizën e tij profesori shpjegon se mjekët e akuzuar ma shpëtuan jetën duke më hequr organet, por si ma shpëtuan jetën kur më dërguan në Shkup dhe përsëri u detyrova të hyja në sallën e operacionit në Klinikat e Shkupit. 14 ditë luftova, isha në komë.", - u shpreh nëna nga Dibra, Jëlldëz Veaposka.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë Muhamed Asani, djali i tij Blerton Asani, specialist i gjinekologjisë dhe akusherisë, dhe e akuzuara e tretë Liljana Jovanoska, mjeke-gjinekologe dhe akushere, akuzohen për krime të rënda kundër shëndetit të njerëzve. (Ilmije Zhaku, TVM2)
