Presidenti i shtetit të zgjedhet në Kuvend, DPMNE: Propozimi është përpjekje për defokus
26.02.2024 17:00
LSDM dhe VMRO-DPMNE...

LSDM dhe VMRO-DPMNE, me qëndrime identike sa i përket propozimit të BDI-së dhe opozitës së bashkuar shqiptare VLEN për zgjedhjen e presidentit të Maqedonisë së Veriut në Kuvend, dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.
LSDM: Kërkesa paraqet hap mbrapa në demokraci
Për socialdemokratët, kjo ide është dëgjuar edhe më herët dhe e konsiderojnë si kthim mbrapa në demokraci.
“LSDM-ja në shumë raste e ka shprehur qartë qëndrimin tonë se kandidati për president duhet të zgjidhet në zgjedhje dhe kjo kërkesë nuk është diçka e re, është dëgjuar edhe në zgjedhjet e vitit 2019 dhe 2020. Mendojmë se nuk ka nevojë ta kthejmë mbrapa demokracinë. Është me rëndësi që kandidati i LSDM-së do të përkrahet nga të gjitha bashkësitë etnike dhe do të përkrahet nga shumica e qytetarëve tanë dhe do të jetë fitues i zgjedhjeve.”, - deklaroi zëdhënësi i LSDM-së, Darko Kaevski.
Ndërsa lideri i VMRO- DPMNE-së, Hristian Mickoski, thotë se BDI-ja nuk është më faktor për të imponuar çështje, veçanërisht çështje etnike dhe në këtë mënyrë të kushtëzojë zgjedhjet presidenciale.
“Kjo deklaratë e Ahmetit, në mungesë të ideve të tjera, në kushtet kur janë kapur në një krim të madh, po mundohen të ndërtojnë një temë me defokus të lehtë dhe pastaj ta transferojnë atë temë në fushatë dhe ta bëjnë temë në fushatë. Meqenëse tema ishte një kryeministër shqiptar, tani presidenti duhet të jetë shqiptar. Unë mendoj se kjo duhet të anashkalohet, sepse nuk janë faktor për të imponuar një temë të tillë dhe mendoj se nuk duhet të kapim grepin që vjen nga një opsion politik që së shpejti do të jetë në të kaluarën.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë prezantimit të kandidatit të partisë së tij për president, Bujar Osmani, tha se fushata e BDI-së në zgjedhje do të përqendrohet në kërkesën që në të ardhmen presidenti të zgjidhet në Kuvend, ndërsa përveç presidentit të zgjidhet edhe një zëvendëspresident, që do të ishte shqiptar.
Një kërkesë të tillë e prezantoi edhe Arben Taravari, kandidati për president i opozitës shqiptare.
Taravari, përveç idesë që presidenti të zgjidhet në Kuvend, kërkoi që me Kushtetutë të përfshihet edhe çështja që një nga tre postet kryesore në shtet, ai i presidentit, kryetari i Kuvendit apo kryeministrit t’u takojë shqiptarëve. (Sanije Kasami, TVM2)
