Maqedoni

Gjykimi për dokumentacionin e “Besa Trans", aktvendimi do të shpallet më 7 mars

26.02.2024 18:11

Në Gjykatën Penale në Shkup u dhanë fjalët përfundimtare lidhur me dokumentacionin...

Në Gjykatën Penale në Shkup u dhanë fjalët përfundimtare lidhur me dokumentacionin e kompanisë së transportit "Besa Trans", autobusi i të cilit më 23 nëntor të vitit 2021, në autostradën “Struma” të Bullgarisë u aksidentuar, ku si pasojë humbën jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë u lënduan.
 
Prokurori i angazhuar në këtë rast akuzon Bekim Haxhiun si pronar i “Besa Transit” nga fshati Rashçe, për falsifikim të certifikatës së licencës për autobusin e aksidentuar.
 
Sipas Prokurorisë, dëshmitë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe Drejtorisë së Doganave tregojnë se autobusi i aksidentuar nuk ka poseduar certifikatë të licencës për qarkullim ndërkombëtar dhe se autobusi është larguar 20 herë nga vendi në vitin 2021 pa posedimin e dokumentacionit adekuat. 
 
Nga Prokuroria kërkuan që pronari i "Besa Transit" të shpallet fajtor dhe të dënohet në pajtueshmëri me Ligjin.
 
Ndërkohë nga pala mbrojtëse e të akuzuarit theksojnë se Prokuroria në asnjë moment nuk ka arritur të dëshmojë se i akuzuari ka kryer falsifikim të dokumenteve, gjegjësisht të ketë përmirësuar apo të ketë përdorur dokument të rrejshëm, andaj kërkoi nga gjykatësi që i akuzuari të lirohet nga akuza. Aktgjykimi për këtë rast do të shpallet më 7 mars.
 
FLORIJE KAMBERI