Maqedoni

Qytetarët online mund të shohin nëse dokumentet janë gati

26.02.2024 18:48

Është vënë në funksion shërbimi i MPB për kontrollim online të dokumenteve personale...

Është vënë në funksion shërbimi i MPB për kontrollim online të dokumenteve personale. Të gjithë ata qytetarë që më paraprakisht janë fotografuar, në sportelet e MPB-së në objektin e MTV-së apo stacionit policor “Proleçe” mund të kontrollojnë në ueb - faqen e MPB-së, nëse dokumentet u janë bërë gati apo janë ende në proces.
 
Autoritetet e MPB-së thonë se ky shërbim shumë shpejt do të zgjerohet edhe për qytetarët e të gjitha qyteteve në vend me çka do të shmangen turmat dhe pritjet e gjata pa nevojë.
 
“Të gjithë qytetarët kanë mundësi të vizitojnë ueb faqen e MPB-së dhe të shohin nëse dokumentet e tyre personale janë përgatitur. Kuptohet se kjo vlen vetëm qytetarët e fotografuar në objektin e MRTV-së apo stacionin policor “Proleçe”. Në ndërkohë bëjmë përpjekje që ky shërbim t’u mundësohet të gjithë qytetarëve të vendit, sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët nuk do të kenë nevojë të shkojnë para sporteleve të MPB-së nëse dokumentet e tyre ende nuk janë të përgatitura.”, - deklaroi zëvendësi i MPB-së, Angellovski.
 
Dalëngadalë veç më vërehet pakësimi i pritjeve të gjata dhe fluksit të shtuar të qytetarëve. Shumica e qytetarëve që kishin ardhur sot të marrin dokumentet kishin kontrolluar paraprakisht se pasaportat e tyre janë gati, ndërsa pjesa tjetër vullnetarisht erdhën për të kontrolluar.
 
Pothuajse të gjithë thanë se në të shumtën e rasteve nuk kanë pritur më shumë se 15 minuta.  Pritje më të gjata vazhdon të ketë para sporteleve të dorëzimit dhe fotografimit të qytetarëve për dokumentet e tyre. Qytetarët janë të revoltuar, pasi që termini i tyre në orarin e caktuar nuk respektohet në praktikë.  
 
“Po, e kontrollova edhe tani kam ardhur për ta marr pasaportën.”, - tha një qytetar.
 
“Prej 15 dhjetor jam fotografuar dhe disa herë kam ardhur pas dhe kam pritur mbi 5 orë për ta kuptuar se ende nuk e kanë bërë gati. Tani erdha dhe sa e shoh nuk ka shumë pritje.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Unë nuk kam pranuar asnjë SMS nëse pasaporta është apo jo gati. Erdha vetë për ta kontrolluar, pasi që jam fotografuar që nga dhjetori i vitit të kaluar.”, - u shpreh një qytetar. 
 
Deri më tani Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë mbi 1 milion e 350 mijë pasaporta. Në ndërkohë MPB-ja punon edhe në përmirësimin dhe përforcimin e kapaciteteve të linjës telefonike përmes së cilës caktohen terminet e qytetarëve për aplikim për dokumentet personale. 
 
REXHEP QAMILI