Botë

Izraeli dhe Hamasi pranë një marrëveshjeje armëpushimi

27.02.2024 12:44

Izraeli dhe Hamasi duket se janë afër një marrëveshjeje....

Izraeli dhe Hamasi duket se janë afër një marrëveshjeje. Armëpushimi në Gazë do të fillojë brenda pak ditësh, tha presidenti amerikan, Bajden. Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar një armëpushim të ri prej javësh, i cili duhet të lehtësojë lirimin e pengjeve izraelite që ende mbahen në brezin bregdetar.
 
Tel Avivi është nën presion nga aleati i tij kryesor, Shtetet e Bashkuara, për të negociuar një armëpushim që do të parandalonte një sulm në Rafah, ku janë strehuar më shumë se një milion palestinezë.
 
"Shpresojmë që në fillim të fundjavës apo më mirë po e them deri në fundjavë, do të kemi një armëpushim.”, - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.
 
Ushtria izraelite ka publikuar pamjet e një, siç thotë, tuneli nëntokësor 10 metra, që lidh Rripin verior dhe jugor të Gazës. Më herët, mbrojtja tha se forcat ajrore goditën objektivat e Hezbollahut në Liban.
 
“Nëse ka dikush këtu që mendon se kur të arrijmë një marrëveshje për lirimin e pengjeve, zjarri do të ndalet dhe gjërat do të bëhen më të lehta, atëherë ata e kanë gabim. Ne do të vazhdojmë sulmet tona pavarësisht se çfarë ndodh në jug derisa të arrijmë objektivat tona. Qëllimi është i thjeshtë – të tërheqë Hezbollahun aty ku duhet. Ose me marrëveshje, ose do ta bëjmë me forcë.”, - theksoi ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Joav Galant.
 
Kombet e Bashkuara thonë se janë të gatshme të mbështesin përpjekjet për të kapërcyer sfidat me të cilat përballet populli palestinez në Gazë pas lajmeve se kryeministri palestinez ka dhënë dorëheqjen.
 
“Kombet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin përpjekjet që synojnë tejkalimin e sfidave humanitare, politike, financiare dhe të sigurisë me të cilat përballet populli palestinez. Një qeveri palestineze e forcuar dhe e fuqizuar, e aftë për të qeverisur të gjithë territorin e pushtuar palestinez, është kritike për krijimin e një shteti palestinez plotësisht të pavarur demokratik, sovran dhe të qëndrueshëm.", - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq. 
 
Ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës filloi më 7 tetor pas një akti terrorist kundër civilëve nga Hamasi.
 
FITORE DEMOLLI