Botë

Përdorimi i dinarit serb në Kosovë, në Bruksel diskutohet çështja e dinarit

27.02.2024 13:02

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë sot janë në Bruksel...

Përfaqësues të Kosovës dhe Serbisë sot janë në Bruksel, në kuadër të dialogut për ta diskutuar çështjen e përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë. Takimi i dialogut do të përqendrohet në zgjidhjen e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për përdorimin e valutave nga Banka Qendrore e Kosovës.
 
Autoritet e Serbisë bënë të ditur se në këtë takim delegacionin e Serbisë do ta  përfaqësojë kryenegociatori, Petar Petkoviq. Nga pala kosovare, pritet të marrin pjesë zyrtarë të Bankës Qendrore, por jo edhe kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
 
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, refuzoi të marrë pjesë në takim duke theksuar se “ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, sepse çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut”. Ai kritikoi ndërmjetësuesin evropian, Miroslav Lajçak, për caktimin e një takimi pa dakordim paraprak me palët.
 
Autoritetet ndërkombëtare po i kërkojnë Kosovës që ta pezullojë zbatimin e rregullores, e cila e përcakton si valutën e vetme në vend Euron, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit të Serbisë në Kosovë. BE-ja dhe ShBA-ja thanë se qytetarëve serb të prekur nga kjo rregullore, duhet t’u jepet kohë për t’u përshtatur me situatën e re.