Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2024, vijon mbledhja e nënshkrimeve

27.02.2024 15:00

Nga 13 kandidaturat e paraqitura për president të vendit...

Nga 13 kandidaturat e paraqitura për president të vendit, për 11 prej tyre është e nevojshme grumbullimi i 10 mijë nënshkrimeve nga qytetarët, ndërsa për dy kandidatët tjerë të cilët nuk janë duke tubuar nënshkrime, e që bëhet fjalë për kandidaturat e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova dhe kandidatin e LSDM-së, Stevo Pendarovski, partitë kanë vendosur që të deponojnë 30 nënshkrime nga 30 deputetë.
 
11 kandidaturat tjera të cilët që nga data 23 shkurt janë duke grumbulluar 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për zyrtarizim të kandidaturës, pesë prej tyre deri më tani janë veçuar për nga numri i grumbullimit të nënshkrimeve.
 
Sipas të dhënave zyrtare të KShZ-së, deri më tani vetëm Bujar Osmani ka tubuar mbi 10 mijë nënshkrime, ndërsa shumë afër këtij pragu të nevojshëm gjenden edhe kandidati i VLEN, Arben Taravari dhe kandidati i subjektit politik ”E di”, Maksim Dimitrievski.
 
“Gjendja e numrave pas nënshkrimeve të tubuara për kandidat për kryetar të shtetit, deri në përfundim të orarit të punës, respektivisht ora 20 e ditës 26 shkurt 2024 janë si në vijim: Bujar Osmani ka tubuar 10,528 nënshkrime, Maksim Dimitrievski ka tubuar gjithsej 8,400 nënshkrime, Arben Taravari ka tubuar 7,513 nënshkrime, Biljana Vankovska Cvetkovska 6,237 nënshkrime, Stevçe Jakimovski 4,718 nënshkrime.”, thuhet në komunikatën e KShZ-së. 
 
Ndërsa 6 kandidatët tjerë edhe pas ditës së katër të mbledhjes së nënshkrimeve nuk kanë arritur ta tejkalojnë as numrin e 700 nënshkrimeve, ndërsa tre prej tyre nuk kanë të tubuara as nga 100 nënshkrime, ndërsa kandidati Tome Nikollovski nuk ka tubuar asnjë nënshkrim.    
 
Deri më tani mbi 39 mijë qytetarë kanë deponuar nënshkrimet e tyre në njësitë rajonale të KShZ-së për njërin nga 11 kandidaturat që po grumbullojnë nënshkrime, ndërsa vetëm gjatë ditës së djeshme ky numër ka qenë plot 15 mijë qytetarë. Afati për grumbullimin e nënshkrimeve është i hapur deri më 8 mars. 
 
FITIM KRYEZIU